Zyrtari i “Human Rights Watch” thotë se ka pasur frikë të flitet për shkeljet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja

Frederick Abrahams, nga organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch”, në cilësi të dëshmitarit të 22-të, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se ka pasur frikë të flitet për krimet e pretenduara të bëra nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

‘‘Në rastin e hetimit shkeljeve të pretenduara të bëra nga UPK-ja, intervistat ishin të vështira se kishte hezitim dhe frikë me fol haptazi për këtë çështje’’, tha i njëjti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se raportet për këtë i kanë bërë më shumë kolegët e tij por se edhe ata kishin thënë se janë përballur me njerëz që kanë shprehur frikë për të dhënë përgjigje që përfshijnë shkeljet e pretenduara të UÇK-së.

‘‘Unë e kuptoja dhe besoja frikën si frikë që njerëzit mund të kishin frikë nga pasojat që mund të kishin’’, u përgjigj dëshmitari kur u pyet nga prokurori Alan Tieger  se për çfarë kishin frikë këta persona.

Abrahams më tej tha se fitoi këtë përshtypje në bazë të qindra intervistave të bëra por se nuk përjashtoi mundësinë se kishte njerëz që nuk donin të flisnin për këtë sepse në mendjen e tyre kauza ishte më e madhe.

‘‘Pasoja të vuanin nga pjesëtarë të UÇK-së për faktin se do flinin për keq-sjellje të tyre’’, tha ai kur u pyet se nga kush frikësoheshin se do kishin pasoja.

Ndërkaq, në fillim të dëshmisë së tij, ai ka treguar se punon në këtë organizatë që nga viti 1993 dhe se mandati i tyre është të monitorojnë, komentojnë, ekspozojnë dhe të publikojnë raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut në gjithë botën.

I njëjti ka deklaruar se periudhës 93-2000 ka punuar në Ballkanin Jugor dhe se misioni i tij i parë në Kosovë ka qenë viti 1996.

Po ashtu, Abrahams ka thënë se ka dhënë dëshmi në disa çështje gjyqësore si dhe punën e tyre e ka paraqitur edhe para Kongresit Amerikan.

Dëshmitari tha se nuk kanë qenë të vendosur në mënyrë permanente në Kosovë por se kanë ardhur dhe qëndruar nga 2-3 javë herë pas here.

Metodikë e punës sipas tij ishte intervistomi i personave që pasqyrojnë njohuri të dorës së parë, ata që kanë parë me sy të vet shkeljen apo familjarë të tyre por se janë munduar që dëshmitë e tyre të i mbështesin me material përcjellës si: raporte autopsie, raporte mjekësore apo vendime gjykate.

Abrahams tha se raportet e tyre pas botimit i kanë shpërndarë online, ju është dërguar qeverive të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, janë vënë në kontakt me media si dhe kanë bërë shpërndarje të drejtpërdrejtë tek autoritetet serbe-jugosllave.

Për shpërndarjen e raporteve nga UÇK-së, ai tha se nuk kishte qenë e lehtë pasi fillimisht nuk ka qenë prania e tyre haptazi deri vonë gjatë konfliktit kurse më vonë, nga shtatori i 1998 kanë shpërndarë ato në zyrën e përfaqësuesve në Prishtinë, sipas tij tek Adem Demaçi, aktivist i të drejtave të njeriut dhe përfaqësues politikë i UÇK-së.

Kurse, i pyetur për termin kolaboracionist, dëshmitari tha se ekzistonte ky term për personat që i konsideronin si të pandershëm.

‘‘Ishin njerëz që ishin në sigurim si polici por edhe nëpër universitete që dominoheshin nga shteti ku gjuha shqipe ishte e ndaluar dhe të cilët nuk punon në instanca paralele që kishin krijuar shqiptarët’’, tha ai.

Ndërkaq, mbi çfarë kishte fituar këtë mendim se ky term përdore për njerëzit që pretendohej se ishin bashkëpunëtorë, Abrahams tha se burimi kryesor kishin qenë organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, KFOR-i, OSBE-ja, Qendra e të Drejtës Humanitare dhe nga intervistimi i disa anëtarëve të familjeve që pretendonin se të afërm të tyre ishin rrëmbyer për shkak se ishin perceptuar si kolaboracionist.

Në vazhdim, dëshmitari është pyetur edhe për ndalimin e dy gazetarëve serbë nga UÇK-ja, për të cilët tha se kishin paraqitur shqetësimin e tyre me komunikatë për shtyp por se ishin konsultuar edhe me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe e kishin ngritur si çështje edhe me Demaçin në Prishtinë.

Abrahams ka folur edhe për Demaçin një pjesë të dëshmisë së tij, duke e cilësuar si figurë të rëndësishme në shoqërinë shqiptare kosovare por që sipas tij ndikimi i tij në vendimmarrje në krahun e armatosur ishte i kufizuar.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e gazetarëve të ndaluar, dëshmitari tha se kishin kërkuar takim me përfaqësuesit e UÇK-së dhe se kjo iu ishte mundësuar, kur sipas tij takimi ishte mbajtur në një fshat të Malishevës dhe se aty kishte qenë Hashim Thaçi si përfaqësues politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Komandat Çeliku – Fatmir Limaj.

Dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe në seancën e planifikuar për nesër.

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari Agim Idrizi thotë se jeta e tij është shkatërruar

(Përditësuar, ora 17:50)-Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari pa masa mbrojtëse, Agim Idrizi ka përfunduar dëshminë e tij në këtë çështje gjyqësore.

Dëshmitari shpesh herë ka folur i emocionuar dhe duke paraqitur shqetësimin e tij se i është shkatërruar familja dhe jeta e tij dhe se pa argumente kanë dashur të i bëjnë keq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

‘‘Ju kisha bë thirrje, tash du me ju bë një thirrje atje në Kaçanik, nëse ka dikush që ka informacione për Agim Idrizi se kam mshel shqiptar burg, le ta shkrujnë, le t’mi qojnë shënimet, cilin shqiptar e pasna shti në burg edhe kujna i kam lajmru armë, qito du mi dit të kajrta edhe a jom kan polic edhe a jon kan rojtar i malit, kta duhet me bo atje publike në Kaçanik, faleminderit prej juve, se qe meniher ma kishin shkrujt tradhtar i kombit, marre duhet me ju ardh, tradhtar i kombit a e din kujna i thojnë..(nuk kuptohet), këta ma kanë pru punën me ardh qitu, dikush duhet me pagu për jetën teme se ma kanë shkatrru’’, ishin deklarimet e dëshmitarit në fund të dëshmisë së tij.

Kurse, pasi u ngrit në këmbë dhe në dalje të sallës së gjykimit ai tha ‘‘ditën e mirë e bofshi, faleminderit shumë, jom shumë i i knaqt për krejt gjanat që i keni bo që m’keni pru dhe m’keni lan me dal publik, se unë kam lyp për me dal vet qitu, unë e kam lyp me dal qitu, jo polici e Gjykata Speciale, unë vet kom ardh qitu, le ta dijnë’’.

Paraprakisht, gjatë seancës së sotme mbrojtja e Thaçit, avokati Luka Misetic lidhur me listat e paraqitura gjatë kësaj seance për dëshmitarin, lexoi disa përfundime të Gjykatës Themelore në një vendim duke thënë se ‘‘Jonuz Shurdhani ka dëshmuar se nuk ka informacion pse janë mbajtur të burgosurit dhe nuk ka bazë se UÇK ka përdor këto lista, edhe nëse listat janë të saktë, nuk janë provuar se janë shërbyer si bazë për ndalimin e personave’’.

Për këtë ka pasur kundërshtime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), por se dëshmitari tha se sa i përket vetes së tij, ai nuk pranon të ketë qenë pjesë e këtyre listave.

‘‘Jam akuzu se kam qenë polici dhe roje pylli, krejt Kaçaniku i din se s’jam kanë as polic as rojtar, as s’vjen pyetje’’, tha ai.

Ai tha se informatat të rrejshme i ka përhapur familja Axhami dhe Habib Koka duke shtuar ‘‘për qita kom ardh ktu, se s’po muj i duroj, ku kom marr rrogë, ku jom kon polic, kon e kom shti burg, i kom ni kto gjana, qata kom ardh ktu’’.

Në vazhdim ai tha se gjatë marrjen në pyetje të tij në kohën e ndalimit, Enver Axhami ka lexuar një listë me emra që e kishte marr nga Habib Koka.

Duke qenë se emrat e tyre nuk i mbante mend, avokati Misetic lexoi pjesë nga deklarata të mëhershme ku ai kishte përmendur disa prej tyre si Islam Dranobllaca, Ismail Lela, Hihil Loka, Afet Rexhellari, Mahmut Arishti, Osman Kuka, Hazir Jaha, Myrteza Tusha, Jeton Qorri, Emin Xhami, Bekir Shurdhani, Fem Zeneli e të tjerë.

Për ta dëshmitari tha se ai nuk i ka shti në listë e as nuk ka kontakt me ta, sipas tij për ta le të flet Enver Axhami.

Në vazhdim dëshmitari është pyetur edhe për një artikull gazete në të cilin ishte shënuar se UÇK-ja është duke e kërkuar Agim Idrizin.

Për këtë, dëshmitari tha se i kishte ardhur rëndë atij dhe familjes dhe se kjo ishte bërë që kush ta shihte ta vriste, madje sipas tij kishin shkuar se Idrizi është mik i Araknit dhe se gruaja e tij është vajza e Arkanit, duke thënë se e ka gruan shqiptare dhe se kjo e ka shqetësuar atë dhe familjen.

Për këtë dëshmitar nuk ka pasur pyetje nga mbrojtja e Veselit dhe Krasniqit kurse pyetje nga trupi gjykues kanë pasur gjykatësit Christoph Barthe, Guenawl Mettraux.

Duke u përgjigjur në pyetjet e tyre, dëshmitari tha se Enver Axhami ishte anëtarë i UÇK-së dhe se ai kishte dërguar ushtarë civile ta merrnin te shtëpia, për të cilët tha se ishin pjesë e familjes së Enverit.

Disa përgjigje të dëshmitarit nuk janë dëgjuar pasi i njëjti jepte përgjigjen ende pa përfunduar përkthimi dhe ka qenë e pamundur të dihet se çfarë përgjigje ka dhënë.

Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve tha se ndalimi dhe arrestimi i tij u bë për arsye private

(Përditësuar, ora 15:35)- Dëshmitari pa masa mbrojtëse, Agim Idrizi, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se ndalimi dhe arrestimi i tij është bërë për arsye private dhe se nuk është çështje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Këtë, dëshmitari e tha duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Selimit, duke iu referuar problemit me Enver Axhamin dhe Habib Kokën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai pohoi se në dëshmi të mëparshme kishte thënë se “unë nuk kisha gjë kundër UÇK-së apo shqiptarëve tjerë, kisha probleme vetëm me këta persona dhe ishte çështje private dhe jo çështje shtetërore” dhe “të gjithë e dinin se ishte problem toke dhe asnjë tjetër, e kanë marrë vesh krejt se krejt shkak i tokës u bo ky problem te unë”.

Tutje, përsëri u pajtua se kjo çështje nuk ishte çështje e UÇK-së por se ishte problemi i tokës.

Paraprakisht, ai sqaroi të tilla probleme duke thënë se familja Axhami dhe Koka kishin përhapur gënjeshtra për të madje u pajtua se kidnapimi i tij është bërë dhe nxitur nga familja Axhami.

Problemi sipas tij ishte se kushëriri i tij, Qazim Bajrami ia kishte shitur tokën një fqinji Bajram Brutit, kurse atë tokë e kishte dashtë Enver Axhami por se fillimisht nuk kishte pasur para, por që të njëjtat i kishte marrë tek një person me emrin Sami Runeva dhe se me gjashtë persona ia kishin sjellë paratë në shtëpi Qazimit dhe kishin ikur.

“I ka hi natën me gjashtë vetë, ia ka flug paratë n’shpi edhe ka ikë’’, tha dëshmitari.

Ai madje tha se kur ishte arrestuar dhe ishte dërguar në “Bob”, ishte befasuar kur kishte parë Enver Axhamin duke e pritur dhe se ai kishte filluar menjëherë ta marrë në pyetje për pjesën e tokës.

Idrizi sqaroi se ajo tokë ishte në fshatin e tij në Lanishtë, rreth 7 ari tokë bujqësore por e papunuar, e që më pas pronari i ligjshëm i tokës e kishte punuar.

Ai tha se me Enverin dhe familjen e tij kishin tentuar të pajtoheshin edhe përmes njerëzve të ngritur të Prishtinës edhe përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që ai s’kishte pranuar dhe i kishte sharë të gjithë.

Dëshmitari shtoi se kushëriri i tij kishte qenë një djalë, kurse Enveri kishte pasur edhe gjashtë vëllezër, andaj nuk kishte mundur t’i kthejë paratë dhe se ai edhe ashtu nuk i pranonte.

Kurse, tha se me një shqiptar kishte shkuar tek një gjykatës në Prishtinë dhe kishte sqaruar situatën, kur më pas Qazimi dhe Bajrami kishin komunikuar me të për ta trajtuar çështjen tutje.

Më tej, ai mohoi edhe akuzën që Enver Axhami i kishte bërë se kinse është spiun i Sali Brudës, duke sqaruar se me të kishte pasur kontakt vetëm kur kishte marrë disa drunj në mal duke menduar se janë të shtetit dhe se kur ishte lajmëruar ai se janë të tij, dëshmitari ishte pajtuar t’ia paguante.

Ndërkaq, tha se ai e di se nga familja Axhani i kanë vjedhur lopën me mëzatin, por se kurrë nuk i kishte lajmëruar në polici.

Në vazhdim, tha se familja Axhami kishin rrahur djalin e axhës së tij e edhe djalin e vëllait, por se policia nuk kishte marrë masa për këtë.

Idrizi tha se Enver Axhami dhe Habib Koka i kanë shkaktuar shumë dëm dhe i kanë vendosur emrin e tij në lista me qëllim për ta likuiduar se nuk e kanë dashur.

Lidhur me dëshminë e tij të mëparshme ku UNMIK-ut i kishte thënë se ka pasur 16 probleme/çështje dhe pas kësaj e ke bërë të qartë dhe UÇK-ja nuk kishte dijeni se Enveri e arrestoi në mes të natës dhe e merrte në pyetje, dëshmitari tha se ‘‘me pas ditë UÇK-ja i kish ra poshtë, nuk e kanë pa, m’ka mbajt në vëzhgim vetë pa prezencën e UÇK-së, ka dashtë me m’likuidu, mos me ditë kurrkush ku jam a ku s’joa’’.

Në vazhdim, dëshmitari është marrë në pyetje nga mbrojtja e Thaçit.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari Agim Idrizi mohon të ketë qenë polic i institucioneve serbe

(Përditësuar, ora 15:15)- Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari pa masa mbrojtëse, Agim Idrizi, ka mohuar të ketë qenë polic i institucioneve serbe apo roje pylli.

Këto deklarime, Idrizi i bëri duke iu përgjigjur prokurorit James Pace pas paraqitjes së dy dokumenteve dhe atë lista e emrave që janë regjistruar për sigurinë lokale të Kaçanikut më 29 dhjetor 1998 dhe lista e emrave që kanë nënshkruar kontratë për sigurinë vendore të Komunës së Kaçanikut, më 2 nëntor 1998, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Besën e shqiptarit po ia jap që ka me dalë me vjerrë para gjyqit, po nëse s’jam kanë, kush ka me ma pagu jetën mu….s’jam kanë as roje pylli as polic, këto janë gënjeshtra, unë e di kush m’ka shti n’listë dhe për çka më ka shti në listë”, tha Idrizi.

Ai tha se nuk është regjistruar asnjëherë në komunë për sigurinë vendore dhe se nuk ka pasur kurrfarë lidhje me ta.

Idrizi deklaroi se kurrë askujt nuk ia ka bërë me gisht dhe asnjëherë nuk i ka bë keq askujt dhe kurrë askush nuk ka shkuar në burg për fajin e tij.

Tutje, tha se me kryetarin e këshillit të komunës atëkohë, Radislav Organjoviq nuk ka folur asnjëherë për t’u kyçur në forcat e sigurisë serbe.

“Nëse dikush mundet me gjet emrin tem që kam punu polic qysh shkrun në dokument, ai është hasmi jem ma i madhi që ka thanë se Agim Idrizi o polic e roje pylli, këto nuk janë të vërteta, mundeni me pyt n’Kaçanik atje, e din shumë mirë”, tha i njëjti.

Ai tha se këtë ia kanë bërë armiqtë e tij, Enver Axhami dhe Habib Koka, duke shtuar se kanë qenë në bela për tokë me familjen Axhami.

Lidhur me Habib Kokën, ai tha se kishte qenë polic që nga koha e Titos, Millosheviqit dhe në momentin e arrestimit të vetë Idrizit, kishte kaluar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

I pyetur për një person serb i njohur me emrin Vojo, dëshmitari tha se ai e ndihmonte për të marrë kamionin kur nuk ia lironin, pasi ky merrte drunj në mal pa leje dhe dokumente.

Ndërkaq, tha se në jetën e tij kishte ndihmuar vetëm tre persona për të marrë pasaportë para luftës dhe atë sipas tij, janë tre persona që nuk kishin bërë asgjë.

Po ashtu, i pyetur nëse ndonjëherë ka bërë diçka ashtu që për shkak tij është arrestuar ndonjë person, ai tha se “besën po j’ua jap, kush ka shku prej meje burg unë do jap përgjigje, unë për këtë kam ardhë këtu, për me mshel n’burg e kisha mshel Enver Axhamin, me krejt jam kanë mirë me tjerët”.

Ai i quajti gënjeshtra zërat se ai u kishte thënë policëve serbë të djegnin shtëpinë e fqinjëve.

“Janë gënjeshtra se kurrë n’jetë këtë se kam thanë”, tha Idrizi.

Më tej, Idrizi akuzoi familjen Axhami se kanë vendosur emrin e tij si polic dhe roje pylli duke shtuar “as s’bëhet fjalë për armë, as për politikë, as për UÇK, për tokë jemi kanë në bela…”.

“Këto para arrestimit tem i kanë ba troç fjalët krejt për çka më akuzojnë dhe duhet me likuidu, familja Axhami dhe Habib Koka e kanë bërë..,”, shtoi dëshmitari.

I njëjti sqaroi se në kohën e arrestimit, 10 pjesëtarë të armatosur e kishin marrë nga shtëpia dhe e kishin quar në “Bob”, ku tha se Enver Axhami, Fadil Xhaka dhe Rrustem Dema nuk i kishin liruar atë dhe katër të tjerë, kurse tha se Jonuz Shurdhani i kishte liruar rreth 15 persona pas marrjes në pyetje.

Ai tha se Jonuz Shurdhani nuk kishte pasur guxim ta merrte në pyetje atë për shkak të Enverit dhe se sipas tij i kishte thënë se nëse e merr në pyetje, duhet me e liru pasi nuk i kanë gjetur asgjë në shtëpi përveç një mjeti bujqësor të hekurit.

Për këtë dëshmitar, nuk ka pasur pyetje mbrojtësi i viktimave, kurse nga ekipet mbrojtëse ka vazhduar fillimisht mbrojtja e Selimit.

Edhe sot po vazhdon dëshminë dëshmitari Agim Idrizi, në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, seanca e së martës ka filluar me dëshmisë e dëshmitarit pa masa mbrojtëse, Agim Idrizit.

Idrizi është dëshmitari i 21-të në këtë çështje dhe do të dëshmojë për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1999, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në seancën e djeshme, prokurori i specializuar James Pace ka filluar të lexojë përmbledhjen e dëshmisë së këtij dëshmitari.

I njëjti është duke i përgjigjur në pyetjet e prokurorit Pace dhe seanca po vazhdon në sesion publik.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një parashtresë që është kërkesë për konferencë me anë të videos për dëshmitarin 03827.

Lidhur me këtë, ekipet mbrojtëse do japin komentet e tyre gjatë ditës.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë i cili përfundoi dëshminë më 23 maj, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e shtatë.

Kurse, më 12 qershor ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i tetë, i cili përfundoi dëshminë e tij më 14 qershor, ndërkaq me 15 qershor ka përfunduar dëshmia e  dëshmitarit i nëntë.

Më 19 qershor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i dhjetë, në ditën ku ka filluar dëshminë dëshmitari i 11-të i cili e ka përfunduar dëshminë e tij më 20 qershor. E më 10 korrik ka filluar dëshminë dëshmitari i 12-të, i cili ka përfunduar dëshminë më 11 korrik, në seancën ku ka filluar dëshminë Rrustem Mustafa, ish-komandat i zonës operative të Llapit.

Mustafa ka vazhduar dhënien e dëshminë së tij në seancën e 12, 13, 14, 17 dhe 18 korrikut.

Ndërsa dëshmitari i 14-të me radhë, Francis Ladwidge, oficeri britanez që shërbeu në Kosovë filloi dëshminë po më 18 korrik dhe e mbaroi më 19 korrik, ku nisi dëshminë dëshmitari i 15-të, i cili e përfundoi më 20 korrik.

Kurse, më 14 gusht filloi dhënien e dëshmisë dëshmitari i 16-të, e që e përfundoi më 16 gusht dhe më 17 gusht përfundoi dëshminë dëshmitarja e 17, Dragica Bozhaniq.

E dëshmia e dëshmitarit të 18-të ka filluar më 28 gusht dhe ka mbaruar më 29 gusht, në ditën kur filloi dëshminë dëshmitari i 19-të, i cili përfundoi dëshminë më 30 gusht.

Më 4 shtator përfundoi në të njëjtën ditë dëshminë dëshmitari i 20-të, kurse pa masa mbrojtëse filloi të dëshmojë, dëshmitari i 21-të, Agim Idrizi.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published.