Ka kaluar një vit e gjysmë që kur ministrja Rozeta Hajdari u përfshi në një aksident trafiku, si pasojë e të cilit u lëndua një 9 –vjeçare, por ende nuk ka një epilog për këtë rast nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Derisa familja e 9-vjeçares ka frikë se rasti mund të parashkruhet për faktin se shkaktarja e aksidentit është ministre, vetë Rozeta Hajdari ka refuzuar të flasë për Kiks Kosovën nëse ka ndikuar ajo në zvarritjen e këtij rasti.
Pas refuzimit të Hajdarit për t’u prononcuar lidhur me këtë rast, Kiks Kosova ka kontaktuar avokatin e saj, Shemdi Bunjaku. Ky i fundit mohon se kanë ndikuar në prolognimin e gjykimit të Hajdarit për aksidentin që shkaktoi në prillin e 2022-ës.
Fajtor për këtë vonesë Bunjaku lë Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, i cili nuk e dorëzuar as pas 9 muajsh super-ekspertizën e rastit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë nga ky fakultetit i kanë premtuar KIKSIT se kjo superekspertizë do të dorëzohet në gjykatë brenda kësaj jave.
KIKS Kosova që nga 17 gushti ka kontaktuar Gjykatën Themelore në Prishtinë për këtë rast, mirëpo as pas gati 1 muaj nuk ka pranuar përgjigje.
Nga burimet brenda kësaj gjykate, Kiksi ka mësuar se gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, e cila e ka pasur këtë rast ka kaluar në Gjykatën Administrative, derisa ende nuk dihet nëse kjo lëndë i është ndarë ndonjë gjyqtari tjetër.