Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është takuar me shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e ka njoftuar për programin politik “Rruga e Re”.
“Kryetari Abdixhiku e njoftoi Barbanon edhe për programin politik të LDK-së ‘Rruga e Re’ për Kosovën, ku u vendos në pah përmbajtja e pasur me mbi 30 kapituj të një koncepti plotësisht zhvillimor të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së për media.
Në takim është diskutuar edhe për situatën në veri dhe planin shtatë pikësh të LDK-së për de-eskalim të situatës, duke vendosur gjithmonë fokusin në fuqizimin e sundimit të ligjit në veri në koordinim të plotë me aleatët.
Po ashtu sipas njoftimit, kryetari Abdixhiku shprehi gatishmërinë për komunikim të vazhdueshëm për të siguruar njoftimin e ndërsjellë për procese të rëndësisë publike.
“Gjatë takimit u adresuan tre çështje të rëndësishme. Së pari, u diskutua lidhur me sundimin e ligjit dhe demokracinë në Kosovë, në kuptim të evitimit të tendencave jokushtetuese dhe jodemokratike të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë”.
Gjatë ditës, Barbano është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
“Disktuam për situatën e sigurisë, sundimin e ligjit dhe rolin e EULEX-it në Kosovë, tashmë si mision këshillëdhënës dhe me kompetenca të kufizuara”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.