Historike, Kosovës i është besuar organizimi i Lojërave Mesdhetare për vitin 2030, në asamblenë që u mbajt në Kretë të Greqisë.
Ky është lajm i madh për shtetin e Kosovës.
Me vota të fshehta nga 66 që votuan, 55 pro Kosovës, tre abstenime dhe 8 kundër.
Sot u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Në njërën nga pikat e rendit të ditës ishte zgjedhja e vendit mikpritës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ku Kosovës iu besua ë zyrtarisht organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i këtij asociacioni, kanë realizuar projektin e madh, një ëndërr që po bëhet realitet për shtetin më të ri në botë, organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Serbia nuk ka lënë guri pa lëvizur kundër Kosovës dhe për të penguar procesin, por ka dështuar në të gjitha aspektet propaganda e fëlliqur e tyre, duke u gjunjëzuar bindshëm nga e vërteta e shtetit të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke folur për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetar 2030, ka thënë se sportin e kemi në ADN.
Ai është zotuar se do të mbajë premtimin e dhënë për organizimin e mirë për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Jemi të nderuar të përfaqësojmë vendin tonë dhe aspiratat e qytetarëve tanë për të qenë nikoqir të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Një ngjarje sportive që mbart një peshë të madhe historike e sportive etj”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Ideja e nikoqirëllëkut për Lojërat Mesdhetare në vendin tim nuk është vetëm një garë, por është një pasqyrim i dedikimit të shoqërisë sonë për promovimin e paqes, nderimit e të kaluarës dhe kultivimin e një rrugëtimit të një avancimi.
Nuk ka imazh më të madh të Kosovës, sesa të rinjtë të talentuar e kreativ të një përkushtimi të papërmbajtshëm drejt suksesit.
Ajo që na dallon neve është që mbi 40% e popullatës jemi nën moshën 35 vjeç, pra 2/3 e popullatës janë në këtë moshë.
Kosova është vend sporti. Sportin e kemi në ADN. Arritjet e shquara sportive dhe dedikimi drejt përsosmërisë e ka ngritur vendin tonë në skenën ndërkombëtare në shkallë globale”, tha kryeministri Kurti.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke folur për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetar 2030, ka thënë se Kosova është krenar me ofertën për organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Ai është shprehur i bindur se Kosova është në gjendje të organizojë në mënyrën më të mirë të mundshme në një event të tillë sportiv.
“Vendi ynë i ri e popullsia jonë e re qëndron me vullnet dhe me krenari në ofertën për të mbajtur këto lojëra me mbështetjen e gjithë partnerëve tanë. Jam këtu për të thënë me krenari para familjarëve tanë olimpikë, miqve tanë:
Jemi gati! Oferta jonë për të mbajtur Lojërat Mesdhetare motivohet në kulturën dhe larminë e pasur mesdhetare dhe dedikimin tonë për sport.
Pasioni ynë për të mbajtur këto lojëra bazohet në përkushtimin tonë për prezantimin e rritjes së potencialit dhe aftësisë së vendit tonë për të organizuar një ngjarje sportive botërore”, tha kreu i KOK-ut.
“Prishtina 2030” do të jetë edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare. Në këtë ngjarje marrin pjesë shumë shtete që nuk e njohin Kosovën.