Rriten çmimet e konsumit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin gusht të këtij vitit.

Sipas ASK-së çmimet e konsumit në muajin gusht janë rritur për 3,2 për qind krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 3,2% në muajin Gusht 2023 krahasuar me muajin Gusht 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (28,0%), pemët (11,4%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (7,2 %), pijet alkoolike, duhani (6,3%), pijet joalkoolike (5,7%), blerja e automjeteve (5,1%), buka dhe drithërat (4,5%), energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera (4,5 % ), shërbimet për transport (4,4%), mishi (3.8%) dhe qumështi, djathi dhe vezët ( 2,4 %), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,4 për qind në IHÇK-it”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

“Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat (-14.5%) dhe lënde djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-3,7%) dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërsa krahasuar me muajin korrik të këtij viti, çmimet e konsumit në gusht janë rritur për 1 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej (1,0 %) në muajin Gusht 2023 krahasuar me muajin Korrik 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: biletat e fluturimeve ( 8,4 %), karburantet dhe lubrifikantet për pajisjet e transportit personal (5,3 %), perimet (4,8 %), shërbimet për transport (4,7%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (1,2%), blerja e automjeteve (1,1%) dhe pijet alkoolike, duhani ( 0,9 %) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,0 për qind në IHÇK-it”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.