Presidenti i SHBA-së, Joe Biden po përballet me rënie të popullaritetit, ndërkohë që synon një mandate të dytë në krye të shtëpisë së Bardhë. Gjysma e amerikanëve mendojnë se çdo kandidat republikan do të ishte një president më i mirë se sa Biden për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara në vitin 2024.
Konfirmimi vjen nga një sondazh i fundit i publikuar. Jopopullariteti i Biden mund t’i japë Trump mundësinë e tij për të rimarrë pushtetin.
Sipas të dhënave, performanca e Biden në detyrë është tepër negative: Vetëm 39 përqind miratojnë punën e tij dhe 58 përqind thonë se politikat e 80-vjeçarit kanë përkeqësuar kushtet ekonomike në Shtetet e Bashkuara.
Qytetarët amerikanë shprehin shqetësim edhe për moshën e presidentit, me një shumicë të madhe që e konsiderojnë atë të paaftë nga ana fizike dhe mendore për të përfunduar dhe një mandat tjetër në drejtim të Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, 61 për qind e amerikanëve besojnë se Biden është përfshirë në problemet ligjore të të birit. Sipas sondazhit, 42 për qind mendojnë se presidenti veproi në mënyrë ilegale, ndërsa 18 për qind thanë se veprimet e Biden ishin pa etikë profesionale.
Shifrat nuk janë pozitive as brenda partisë së kreut të Shtëpisë së Bardhë. 67 për qind e demokratëve preferojnë një kandidat tjetër për garën presidenciale në vend të Biden.