Vitia: 250 € shtesa për inspektorët shëndetësorë, zero tolerancë ndaj shkeljeve dhe drejtësisë selektive

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot vizitoi stafin e Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratin Farmaceutik, të cilët i njoftoi se kërkesat që janë parashtruar nga ky institucion me qëllim të rritjes së performancës, tashmë janë realizuar.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë vitale të punës së Inspektoratit, me prioritet kam trajtuar të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në performancën e këtij institucioni për mbrojtjen e shëndetit publik. Nga muaji shtator, të gjithë inspektorët do të marrin shtesa prej 250 eurove. Këto shtesa do të jenë në vazhdimësi. Po ashtu, në fazën finale është procesi i rekrutimit të 33 inspektorëve, prej të cilëve 25 në Inspektoratin Shëndetësor, ndërsa tetë në Inspektoratin Farmaceutik. Planifikimet janë që të krijohen 42 pozita të reja, të cilat do të rrisin dinamikën e punës dhe cilësinë e performancës”, tha ministri Vitia gjatë këtij takimi.

Ai kërkoi angazhim të shtuar, ndërsa tha se nuk do të ketë tolerancë në rastet kur ekziston dyshimi për drejtësi selektive.

“Me rritjen e numrit të inspektorëve dhe të shtesave në pagë, si dhe me plotësimin e kushteve të punës, presim angazhim maksimal në zbatimin e ligjit për të gjithë njëjtë”, tha ai.

Në këtë takim, U.D e udhëheqëses së Inspektoratit Shëndetësor, Nora Kursani – Demjaha dhe udhëheqësja e Inspektoratit Farmaceutik, Remzije Thaçi, raportuan për inspektimet e realizuara.

Ministri u njoftua se gjatë këtij viti janë realizuar 635 inspektime, prej të cilëve 115 gjatë muajit të kaluar nga Inspektorati Farmaceutik.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.