Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me shkëmbimin e të burgosurve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Përmes një deklarate dërguar Zërit të Amerikës të hënën vonë, Departamenti i Shtetit e pranon se do të shkëmbejë pesë të burgosur iranianë.
Sipas njoftimeve të shtypit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte njoftuar Kongresin lidhur me marrëveshjen në fjalë. Shtetet e Bashkuara dhe Irani konfirmuan më 10 gusht se në bazë të marrëveshjes, Teherani do të lironte pesë shtetas amerikanë, për të cilët Uashingtoni ka thënë se ishin arrestuar pa të drejtë.
“Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të lejojnë transferimin e fondeve nga Koreja e Jugut në llogaritë e kufizuara të Iranit në institucione financiare të Katarit dhe lirimin e pesë shtetasve iranianë, që mbahen në Shtetet e Bashkuara për të mundësuar lirimin e pesë shtetasve amerikanë të arrestuar në Iran”, i tha Zërit të Amerikës, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ambientalisti Morad Tahbaz është në mesin e pesë individëve me shtetësi të dyfishtë amerikano-iraniane, që mund të lirohen nga Teherani në fillim të javës së ardhshme.
Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara dhe Irani konfirmuan se në bazë të marrëveshjes së të burgosurve, Teherani do të lironte pesë shtetas amerikanë, për të cilët Uashingtoni ka thënë se ishin arresuar pa të drejtë nga Teherani.
“Zhvendosja e amerikanëve në arrest shtëpiak është një hap pozitiv, por ata ende nuk janë kthyer në atdhe. Po ndjekim nga afër situatën e tyre. U jemi mirënjohës veçanërisht partnerëve tanë zviceranë për mbështetjen e tyre në terren. Përpjekjet tona nuk do të ndërpriten derisa amerikanët të kthehen në Shtetet e Bashkuara dhe të ribashkohen me familjet e tyre”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Administrata e Presidentit Biden i ka hedhur poshtë akuzat e kritikëve për zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve të ngrira në bankat e Koresë së Jugut si një pagesë shpërblyese për Iranin.
Uashingtoni ka thënë se Teherani do të ketë qasje tek paratë e ngrira në bazë të sanksioneve amerikane nëpërmjet një pale të tretë dhe mund të përdoren vetëm për qëllime humanitare nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara./ VOA