Analisti Agon Maliqi ka thënë se niveli qendror ia ka borxh kryeqytetit një projekt të përmasave të mëdha, siç është ai i unazës së jashtme të kryqytetit.
Sipas Maliqit, deputetët e Prishtinës në Kuvend, pa dallim partie, do të duhej të ishin më të zëshmit për këtë projekt, siç ka thënë, “nëse duan të kenë fytyrë të kërkojnë votë herave tjera”.
Maliqi ka thënë se ky projekt do ta çlironte Prishtinën prej trafikut, ndotjes dhe kaosit urban.
“Nuk i njoh detajet për projektin e unazës së Prishtinës, por niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë të përmasave të mëdha që kish me e çliru prej makthit të trafikut, ndotjes dhe kaosit urban. Zona metropolitane e Prishtinës është kontribuesi bindshëm më i madh i taksave në buxhetin qëndror dhe nuk i kthehet aq sa i takon. Prishtina gjithashtu e ka barrën infrastrukturore për shumë shërbime të nivelit qëndror (me rezultat kaosin e lartpërmendur). Deputetët e Prishtinës në Kuvend (prej cilësdo parti) do të duhej të ishin më të zëshmit për këtë punën e unazës nëse duan të kenë fytyrë të kërkojnë votë herëve të tjera”, ka shkruar Maliqi.
Ndryshe, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë dje se e kanë kryer dizejnimin e unazës së kryeqytetit.
Rama tha në Frontal në T7 se ky projekt 350 milionë eurosh i duhet Prishtinës dhe se tash e katër muaj po e presin një nënshkrim nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
“E kemi përfundu dizajnin e unazës së kryeqytetit. Jemi në pritje të një nënshkrimi qe katër muaj prej ministrit të Financave për me leju me vazhdu në pjesën tjetër. Është një projekt madhor i kryeqytetit i cili është mëse i nevojshëm”, tha Rama.
“Na vyen një firmë e ministrit të Financave, për fat të keq. Nuk po e jep për momentin”, tha Rama.
I pyetur se pse Murati nuk po nënshkruan, Rama tha se “ministrit i duket shumë e madhe” paratë që parashihen të investohen.