/

Deputeti gjerman Butikofer: BE-ja t’ia bëjë me dije Vuçiqit se nuk ka më tolerim orientimi nga Moska

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer ka reaguar pas takimit të së enjtes në Bruksel, të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një shkrim në Twitter, duke shpërndarë shkrimin e analistit austriak, Gerald Knaus, tha se BE-ja duhet të fillojë t’i thotë Vuçiqit të Serbisë se të mos vendosësh mes orientimit të Moskës dhe orientimit të Brukselit nuk është më e tolerueshme.

“Nëse ai dëshiron të luajë një rol si njeriu i Putinit në Ballkanin Perëndimor dhe të ndjekë një axhendë më të madhe të Serbisë, ai mund të përpiqet ta bëjë këtë. Por pastaj …”, shkroi Butikofer.

Ndërsa duke iu drejtuar gazetarëve pas takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nuk ka propozim Beogradi. Ka dokument kushtëzues. Nuk mund të ketë kompromis mes propozimit dhe kushtëzimit”, tha Kurti.

Ai shtoi se ka qenë i vetmi në takim që ka propozuar “një udhërrëfyes të sekuencuar” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, të arritur në Bruksel më 27 shkurt, dhe të aneksit të zbatimit të saj, të dakorduar në Ohër, më 18 mars.

“As nga pala serbe dhe as nga pala e Brukselit” nuk ka pasur kurrfarë dokumentesh si propozime, tha kryeministri i Kosovës.

Sipas tij, kushtëzimi i Serbisë është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, tha Kurti.

Ai tha se Lajçak e ka bërë këtë “në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues”.

Shtoi se është gjithmonë i gatshëm të diskutojë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por se draft-statuti i tij “nuk mund të negociohet nëse, fillimisht, nuk biem dakord për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes”.

“Shpreh gatishmërinë time të plotë që secilin nen të Marrëveshjes bazike, secilën fjali të preambulës dhe secilën pikë të aneksit të Ohrit, jam i interesuar ta zbatojmë një orë e më parë – në plotni, pa asnjë kusht”, tha kryeministri i Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.