Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e dytë 2023 ka shënuar rritje reale për 2.02 për qind, ndërsa sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), eksporti i mallrave ka shënuar rënie 10.67 për qind.
Sipas ASK-së aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera (5,77%); aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (5,05%); aktivitetet financiare dhe të sigurimit (3,66%); bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2,81%).
Po ashtu sipas ASK-së ndërtimtaria pati ngritje 2,70 për qind, tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 2,38%, aktivitetet e pasurive të paluajtshme 2,15%); informacioni dhe komunikimi (2,02%).
Ndërkaq, aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në këtë tremujor ishin: administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia me 0,76%, industria nxjerrëse, përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit (-2,03%).
“Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin: eksporti i shërbimeve me 13,62%, importi i mallrave dhe shërbimeve 6,29%, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë 3,96%, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake… Ndërsa, rënie kishte: eksporti i mallrave me 10,67% për qind”, thuhet në raportin fundit të ASK-së për të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e dytë (TM2) 2023, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.