Hovenier: SHBA investoi 2 miliardë dollarë në Kosovë që nga viti 1999

Kosova dhe USAID sot kanë nënshkruar një marrëveshje të grantit në vlerë rreth 35 milionë dollarësh.

Për këtë, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se të gjitha programet e USAID-it në Kosovë kanë për qëllim që të sigurojnë se të gjithë kosovarët kanë qasje efikase dhe të prekshme në shërbimet që i ofrojnë institucionet e tyre.

Këtu Hovenier përmendi edhe shumën që SHBA ka investuar në Kosovë që nga viti 1999.

“Gjithashtu, mendoj se është e dobishme që të thuhet se prej vitit 1999, SHBA-ja ka investuar më shumë se 2 miliardë dollarë në Kosovë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, përfshirë investime mbi 1 miliard dollarë nga USAID. Besoj që ky është përkushtimi i popullit tonë ndaj popullit kosovar siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar sot”.

Ndërkaq, Hovenier tha se marrëveshja e sotme, që u nënshkrua nga presidentja Osmani dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së USAID-it Kerry Monaghan Hogler, është konfirmim i partneritetit afatgjatë Kosovë-SHBA.

“Konfirmojmë sërish partneritetin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të SHBA-së me popullin e Kosovës dhe ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet europiane dhe euroatlantike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.