Krijimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët, njohjet e dokumenteve të ndërsjella dhe simboleve kombëtare, shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre përmes vetëmenaxhimit dhe nisja e negociatave për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, janë disa nga pikat e propozimit të Bashkimit Evropian për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e djeshëm në Bruksel, që përfundoi pa ndonjë rezultat.
Ky dokumen, sipas BE-së, është pranuar nga Vuçiqi, por është refuzuar nga Kurti, i cili pas takimit ka thënë se qëndrimet e Serbisë janë bërë qëndrime të BE-së.
Në dokument parashihet nisja, përfundimi dhe krijimi i instrumentit të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës.
Sipas dokumentit, Serbia nuk do të insistojë në përdorimin e asteriksit dhe fusnotës në forume rajonale. Gjithashtu, në dokument kërkohet edhe njohja e dokumenteve të ndërsjellja dhe simboleve kombëtare. Kërkohet edhe formalizimi i statusit për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë e që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.
Dokumenti kërkon përfundim të procedurave të brendshme në Kosovë për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Në dokument parashihet edhe krijimi i grupeve të ndara punuese të drejtuara nga BE-ja për implementimin e veprimeve të përmendura në pikën 6 të marrëveshjes.
Dokumenti flet edhe për organizmin e një konference të donatorëve, për përgatitje për projekte të përbashkëta.
Teksti i plotë
Pika 1, 7 dhe 10 – Nisja e procesit të negociatave për statutin e instrumentit të vetmenaxhimit për serbët e Kosovës
Serbia më nuk insiston në përdorimin e yllit dhe fusnotës dhe pjesëmarrjes së UNMIK-ut në forumet rajonale
Pika 7 dhe 10 – Përfundimi i negociatave për Statutin e instrumentit të vetmenaxhmit për serbët e Kosovës
Pika 3 – Palët nuk do të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbahen nga çfarëdo forme e dhunës ose kërcënimit me dhunë
Pika 7 dhe 10 – Themelimin e instrumentit të vetmenaxhimit për serbët e Kosovës
Shpërbërja e strukturave të administruara nga Serbia në Kosovë dhe tranzicioni i tyre, i përshtatshëm, nën instrumentin e vetmenaxhmit për serbët e Kosovës
Pika 1 – Njohja e dokumenteve respektive dhe simboleve shtetërore
Marrëveshje për udhërrëfyesin obligues në implementimin e obligimeve të dala nga marrëveshjet nga bisedimet e mëparshme.
Pika 7 – Formalizimi i statusit për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë
Pika 8 – Marrëveshjet praktike për shkëmbimin e misioneve permanente
Pika 4 – Serbia nuk kundërshton anëtarësimin e Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare
Pika 7 – Kompletimi i procedurave të brendshme në Kosovë për mbrojtjen e vendeve fetare dhe të trashëgimisë kulturore serbe
Pika 6 – Themelimi i grupeve të ndara punuese të prira nga BE-ja për implementimin e veprimeve të përmendura në pikën 6 të marrëveshjes
Pika 9 – Organizimi i konferencës së donatorëve; përgatitja e projekteve të përbashkëta nga palët
Pika 6 – Nisja e negociatave për Marrëveshjen ligjërisht të obligueshme për normalizimin gjithëpërfshirës. /DTV/