Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se krye shefi i KEK-ut, Nagip Kransiqi është liruar nga paraburgimi, dhe kjo masë i është zëvendësuar me masën për ndalimin e afrimit të vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër tij.
Kransiqi sipas vendimit, s’ka të drejtë t’i afrohet KEK-ut dhe personave të punësuar në korporatë. Distanca për largësi e caktuar nga Gjykata është 50 metra.
“ Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvëndësimin e masës së paraburgimit me masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me masën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë.”, ka thënë Mirlinda Gashi për Express.