Kryeshefi i Termokos: Po na pret sezoni më sfidues ndonjëherë

Ky vit pritet të jetë më sfiduesi për ngrohtoren e qytetit “Termokos”, thotë kryeshefi ekzekutiv, Fisnik Osmani. Sipas tij, këtë sezon do të shtohen rreth nëntë mijë njësi banimi në rrjetin e sistemit të ngrohjes.

Ai ka folur edhe për pajisjet matëse të vendosura nëpër radiatorë, ku deri më tani janë 14 mijë familje, të cilat kanë përfituar nga ky projekt. Mirëpo, thekson se te disa konsumatorë kanë hasur në vështirësi për instalimin e pajisjeve të nevojshme.

Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit të Prishtinës, zotohet se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar sezonin e ngrohjes.

“Termokosi fillon më datën 15 tetor sezonin e rregullt të vitit që po hyjmë, mirëpo ne i kemi bërë përgatitjet që po pati nevojë ne do të fillojmë edhe më herët. Përgatitjet i kemi bërë në kohë, kemi punuar gjithë kësaj periudhe. 00:38 Mirëpo, ajo çka duhet të potencojmë që padyshim po na pret sezoni më sfidues ndonjëherë që e ka pasur Termokosi, pas atij më të suksesshëm që e kemi lënë vitin e kaluar. Më sfidues për shkak se e kemi rritur bazën e metrave katror, dhe e kemi rritur bazën e konsumatorëve. Si njësi banimi kemi arritur që të kyçim rreth 8900 njësi të banimit, me numër të banorëve e tejkalon numrin 40 mijë, kështu që na pret një sezon sfidues”, thotë Osmani.

Ai shton se po realizohen disa projekte me qëllim të zgjerimit të rrjetit edhe në lagje të tjera të kryeqytetit.

Kryeshefi ekzekutiv i “Termokos” flet edhe për projektin e “Prishtina Heat Save”, të nisur para dy vitesh, ku konsumatorët kanë instaluar pajisjet matëse në radiatorët e tyre. Ai thotë se në disa banesa e kanë pasur të pamundur instalimin e tyre, pavarësisht lajmërimeve.

“Diku mbi 14 mijë njësi banimi ose familje kanë përfituar prej projektit tonë deri tash, 17,500 janë në total, dhe 3,500 të tjera të cilat po i bëjmë instalimin në lagje të reja. Pse nuk kemi mbërrirë deri sot që të instalojmë 17,500 është për shkak se kemi hasur në vështirësi në qasje të banesave. Ka banesa të cilat pronarët i kanë në diasporë, ka banesa të cilat janë me qira, ka banesa të cilët për arsye të ndryshme e kemi të pamundur të hyjmë dhe të qasemi. Mirëpo, në bazë të statistikave i kemi bërë ose i kemi tejkaluar të gjitha pritjet në këtë pjesë. Ka besa që kemi shkuar katër apo pesë herë, kemi vendosur lajmërimet me kohë, mirëpo e kemi pasur të pamundur të hyjmë”, shprehet ai.

Më tej, thekson se ky projekt përfundon në janar të vitit të ardhshëm. Osmani tregon edhe për numrin e familjeve që për herë të parë do të jenë pjesë e rrjetit të ngrohjes nga “Termokos”.

“Në periudhën në të cilën ne po flasim në total diku i kemi 27 mijë e 156 konsumatorë, që është një rritje e ndjeshme gjatë kësaj periudhe. Si numër të konsumatorëve nëse e marrim në njësi banimi, diku mbi 8900 mijë njësi të banimit të reja do të futen në sistem prej kësaj periudhe, që është rritja më e madhe dhe më e ndjeshme që ka ndodhur më herët… E kemi adresuar një problem që nuk ka arritur të adresohet prej pas luftës, është qasja e banesave të bardha në sistemin e ngrohjes. Po flasim për diku 106 mijë metra kator, 29 njësi të banimit, pra banesa kolektive përfshirë edhe shkollën Iliria e cila është ngjitur me banesat e bardha. Projektin e kemi detajuar, është një projekt që do të ketë kosto të ndjeshme për Termokosin”, vijon ai në intervistë.

Kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit thotë se sfidë këtë vit do të jetë zgjerimi, siç e quan ai i ndjeshëm i rrjetit të ngrohjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published.