Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka demantuar Partinë Socialdemokrate e cila i publikoi disa pamje të spitaleve të QKUK-së, duke thënë në këtë gjendje ndodhen klinikat e kësaj qendre spitalore.
Sipas ShSKUK-së, pamjet e publikuara nga PSD nuk janë hapësira ku qëndrojnë pacientët por janë nyje sanitare të hapësirave të QKUK-së.
Në reagimin e ShSKUK-së thuhet se këto hapësira nuk shfrytëzohen për asnjë shërbim shëndetësor dhe nuk janë hapësira që frekuentohen nga pacientët.
“Në lidhje me postimin e bërë në rrjetin social Facebook, nga ana e disa personave, Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, sqaron opinionin publik se fotografitë e postuara nuk paraqesin ambientet ku jepet kemioterapia për pacientët, por janë nyje sanitare në korridorin që ndodhet në bodrumin e klinikave internistike.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rreth 700 nyje sanitare ne hapësirat e saj. Mirëmbajtja dhe intervenimet në këto hapësira janë të vazhdueshme (siç janë edhe dëmtimet), krahas një plani dinamik që merret me identifikimin e shpejtë dhe intervenimet nga Shërbimet Teknike brenda QKUK-së.
Hapësira ku referohet është një hapësirë ku nuk shfrytëzohet për asnjë shërbim shëndetësor dhe rrjedhimisht nuk është hapësirë që frekuentohet nga pacientët.
QKUK po punon intensivisht për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet e trajtimit për pacientët në të gjitha hapësirat e saj”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ShSKUK-së.