Partitë opozitare kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të raportojë në Kuvend të Kosovës për takimin që ka pasur me presidentin serb Aleksander Vuçiqin në Bruksel.
Zyrtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë bërë me dije se Kurti e ka obligim t`i informojë deputetët për zhvillimet në procesin e dialogut me Serbinë.
Ata kanë vlerësuar se i pari i Qeverisë nuk duhet të frikësohet nga transparenca në procesin e Brukselit.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se Kuvendi në procesin e dialogut është shndërruar në spektator.
“Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë në Kuvend të Kosovës për takimin e 14 shtatorit. Me Rezolutë të Kuvendit ai është i obliguar të raportojë para dhe pas çdo takimi në Bruksel. Fatkeqësisht, deri me tani kjo nuk ka ndodhur. Kryeministri nuk duhet t`i ik transparencës në këtë proces, sepse një gjë të tillë vazhdimisht e ka kërkuar sa ka qenë në opozitë. Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi në procesin e dialogut me Serbinë ka qenë vetëm spektator”, ka thënë ajo.
Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kërkuar të njëjtën gjë.
Ai ka thënë për gazetën Nacionale se kryeministri pas çdo takimin në Bruksel do të duhej t`i informonte deputetët për procesin.
“Kryeministri Kurti, nëse do të kishte parime dhe kulturë politike, do të duhej që pas çdo takimi të raportonte në Kuvend për zhvillimet dhe vendimet e dialogut Kosovë-Serbi. Aksidentalisht kjo i ka munguar vendit tonë. Duke e ditur që dialogu është i të gjithëve, përveç raportimit në Kuvend apo edhe me dyer të mbyllura me të gjithë akterët vendor, Kryeministri duhej të na përfshinte të gjithëve në dialog, duke nisur nga politikbërësit, komunitetin e shoqërive civile si dhe ekspertët e njohësit e diplomacisë”, ka thënë Lekaj.
Ai ka vlerësuar se shefi i qeverisë do të duhej të punon për unifikimin e spektrit politik për këtë proces.
“Si rrjedhojë Kosova është e dobët dhe e lënduar në raportet e brendshme dhe të jashtme të shtetit. Këto gabime po na kushtojnë dhe dëmet mund të jenë edhe më të mëdha. Vetëm së bashku mund të shtyjmë procese përpara në të mirë të qytetarëve dhe shtetit tonë, të cilin me shumë mund e sakrificë e kemi sjellë deri këtu ju jemi”, ka thënë Lekaj.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka akuzuar Kurtin se po ik nga transparenca.
“Po e ka obligim të raportojë edhe të jetë transparent. Por, Kurti po i ik raportimit dhe nuk është fare transparent. Pra, po i bishtnon realitetit dhe po mashtron!”, ka thënë ajo.
Ndërsa, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se konferencat për media nuk e zëvendësojnë raportimin e kryeministrit para deputeteve të Kuvendit të Kosovës.
“Kryeministri të raportojë në Kuvend për dialogun. Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës thotë: “Kryeministri raporton në Kuvend para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi”. Raportimi para mediave, si ky i sotmi i Kurtit dhe Bislimit, nuk e zëvendëson obligimin që e ka kryeministri për raportim para deputetëve në Kuvend. Kryeministri Kurti nuk mund t’i hedhë hi syve opinionit publik duke e sulmuar arbitrarisht Opozitën.”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Raportimi i Kurtit para mediave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk ka treguar se kur do të raportojë në Kuvend për takimin e 14 shtatorit. Takimi i javës se kaluar në Bruksel ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Për dështimin e këtij takimi BE-ja e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti. Sipas kryediplomatit evropian Josep Borell, Kurti nuk e ka pranuar propozimin e tij për zbatimin të Marrëveshjes Bazike. Në anën tjetër, kryeministrit Albin Kurti ka mohuar pretendimet e BE-së.
Në një konferencë për media, pas kthimit nga Brukseli, ai ka thënë se në takim ka qenë konstruktiv dhe se ka qenë i vetmi që ka propozuar dokument për zbatimin e marrëveshjes.
Ai ka akuzuar ashpër emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për rol të njëanshme në proces.
Sipas tij, emisari i BE-së është pozicionuar hapur kundër Kosovës.
“Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë, dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit bëj propozime kreative. Serbia s’ka dhënë asnjëherë propozime.”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Pavarësisht kritikave të Kurtit, emisari i BE-së ka marrë përkrahje nga të gjitha vendet e BE-së dhe SHBA-ja.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se shteti amerikan nuk ka ndryshuar qëndrim për BE-në si ndërmjetësuese procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë, ai ka thënë se SHBA-ja ka besim të plotë edhe në emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar për njëanshmëri në proces.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, ka thënë Hovenier.
I pari i qeverisë asnjëherë nuk ka qenë i rregullt në raportin e tij para Kuvendit për procesin e dialogut. Ai ka raportuar për procesin para deputetëve vetëm kur është kushtëzuar nga partitë opozitare parlamentare. Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë plenare, por në asnjërën nga pikat nuk është paraparë raportimin i kryeministrit për procesin e dialogut me Serbinë.