Sveçla: Urdhri për hedhjen e granatës mbrëmë në Veri erdhi nga Vuçiqi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se hedhja e granatës ushtarake të dorës mbrëmë në veri të vendit u bë me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai thotë se akti kriminal u bë si shenjë revolte për tre të arrestuarit për krime lufte.

“Inspirimi, mbështetja dhe urdhri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës”, ka shkruar Sveçla.

 

Deklarata e plotë:

Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.

Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës.

Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve.

Inspirimi, mbështetja dhe urdhri për këtë akt kriminal ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës.

Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.