/

Kurti për vrasjen e policit: Sulmi u krye nga persona me maska dhe të armatosur rëndë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar vrasjen ne një zyrtari policor në veri dhe plagosjen e një tjetri.

Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se rasti ka ndodhur në fshatin Banjskë të Leposaviqit.

Kryeministri tha se “në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë”.

Ai shtoi se “sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.”

Postimi i plotë:

Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.