Është e qartë se sulmi i armatosur në veri të Kosovës, të dielën, nuk ishte spontan, thotë Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në administratat e Bill Clintonit dhe Barack Obamas.
Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.
Kosova e bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
“Duket se ky është një aksion i mirëorganizuar, prandaj është më i rrezikshëm, sepse sugjeron se në terren ka grupe që janë të interesuara për të shkaktuar dhunë dhe janë të gatshëm të organizohen dhe të gjejnë armë që do t’u mundësojnë të bëjnë kështu”, beson Kupchan.
Ai tha se nuk dëshiron të spekulojë se kush qëndron pas sulmuesve.
“Mund të jetë një grup i brendshëm me mbështetje nga jashtë, por jo domosdo nga qeveria. Qëllimi i tyre? Të nxisin telashe, më shumë dhunë, të rrisin tensionet për të bërë të paarritshëm bashkëpunimin e palëve të përfshira për të arritur paqen e qëndrueshme ”, theksoi ai.
“Me sa duket, nuk ka qenë një veprim spontan. Nga sa mund të kuptojmë nga raportimet e mediave, kamionët po bllokonin urën. Është tentuar të shkaktohej një lloj bllokimi. Me sa duket, një grup prej disa dhjetëra personash ka kërkuar strehim në një manastir serb”.
“Pra, ky duket të jetë një veprim i organizuar mirë – gjë që e bën atë më të rrezikshëm, sepse sugjeron se ka grupe në terren që kanë interes të shkaktojnë dhunë dhe janë të gatshme të organizohen dhe të kërkojnë armë, që do t’u mundësonin ta bënin atë”.