Vrasja e policit nga Kosova dhe sulmi terrorist në veri të Kosovës, ka sjellë reagimin e Listës serbe të nesërmen.
Ata kanë ngushëlluar për policin shqiptar të vrarë në veri si dhe familjarët e serbëve, por si zakonisht kanë vazhduar me pretendime të çuditshme duke fajësuar kryeministrin Kurti se po ushtron presion mbi serbët e Kosovës.
“Prej më shumë se një viti ne paralajmërojmë se regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit. Të panumërta kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe… por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”, thuhet në fund.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi pamje nga droni ku shihet një grup personash të armatosur rëndë teksa qëndrojnë në një pjesë të ndërtesave të manastirit ortodoks në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Në pamje theksohet se një nga ta është Milan Radojçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.
“Kryekrimineli Radojçiç ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, shkroi në rrjetin Facebook ministri Sveçla.
Pohimet e tilla nuk i kanë komentuar as Lista serbe dhe as vetë nënkryetari i saj, Milan Radojçiq, ndërsa juristi Muhamet Kelmendi thotë se ajo i ka përmbushur elementet e veprës penale në Kosovë.
Kelmendi në një prononcim, ka përmendur arsyet pse kjo parti është kriminale dhe anti ligjore.