Analistja amerikane, Ivana Stradner, ka thënë se Rusia dhe Serbia po luajnë me Uashingtonin dhe Perëndimin ‘si fyell’.
Këto deklarata Stradner i ka bërë teksa i ka reaguar këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili ka shkruar në “X” për bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas saj, Putin dhe Vuçiq po qeshin me ShBA-në, pasi siç ka thënë ajo, e dinë se Uashingtoni nuk do të ngrejë gishtin.
“Moska dhe Beogradi po e luajnë Uashingtonin si ‘fyell’. Putin dhe Vuçiq po qeshin me SHBA-në dhe e dinë se Uashingtoni nuk do të ngrejë as gishtin. Do të shihni më shumë testime të NATO-s në Ballkan. Dobësia trimëron diktatorët”, ka shkruar ajo.
Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.
Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.
Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.