Gjermania është shteti që e ka kualifikuar pa asnjë mëdyshje si sulm terrorist vrasjen e policit të Kosovës, të dielën në Banjskë, kur një grup i armatosur u shfaq në pjesën veriore të vendit. Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde tregohet i rezervuar për ngjarjen që cenoi sigurinë e Kosovës për të cilën kujdeset edhe NATO.
Qeveria e Kosovës ka publikuar një video që tregon për praninë e Milan Radojiçiq të uniformuar dhe të armatosur brenda Manastirit të Banjskës, por Rohde thotë se duhen pritur hetimet për këtë. Po ashtu, ky diplomat nuk komenton as rreth deklaratave të Vuçiqit që mohojnë involvimin e tij dhe shtetit serb. I pyetur se cila do të jetë qasja e Perëndimit ndaj Listës Srpska pas dyshimeve se nënkryetari i saj është përfshirë në një sulm të tillë, Rohde thotë se hetimet do të japin pasqyrë më të qartë.
“Nuk nxjerrim përfundime bazuar në një video apo postime në rrjetet sociale. Kur të përfundojë hetimi dhe do të kemi një pasqyrë të plotë dhe të qartë, që do të na lejojë të nxjerrim përfundimet e nevojshme”.
Rohde i jep pikët maksimale policisë së Kosovës për sjelljen e saj në ditën kritike, duke thënë se e parandaloi gjakderdhjen e mëtejshme duke u koordinuar me EULEX’in dhe KFOR’in.
Ai është i bindur se pas këtij incidenti Policia e Kosovës dhe institucionet tjera janë në gjendje të ofrojnë mjedis të sigurt. Por, diplomati gjerman është i prerë rreth rrugës që duhet të ndiqen pas 24 shtatorit në fushën e dialogut -zbatimi i marrëveshjes së Ohrit që përfshin edhe angazhimin e palës kosovare për themelimin e Asociacionit.
I pyetur nëse Emisari gjerman Manuel Sarrazin ka kërkuar menjëherë një takim Kurti-Vuçiq, Rohde thotë se nuk mund të komentojë rreth takimeve konfidenciale.
DTV