Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka pranuar se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka qenë në sulmin në Banjskë të Zveçanit të dielën.
Mediumi serb “Danas”, ka publikuar videon, ku Vuçiq gjatë intervistës e pranon se Radoiçiq ishte prezent të dielën në Banjskë.
Tutje, Vuçiq ka thënë se personat e tjerë nuk i ka njohur, por që ka dëgjuar tashmë për ta.
Gazetari i RTS-së, pyeti Vuçiqin duke i thënë se “sa dini për organizimin e atyre njerëzve, që komandojnë ata njerëz nga Kosova, a i njihni ata njerëz”.
“Si nuk e njoh Milan Radoiçiqin”, u përgjigj Vuçiqi.
“A i komandon ai ata?” – pyeti gazetari.
“Nuk e di nëse i komandon, por më pyetët nëse i njoh ata njerëz. E njoh Milan Radoiçiqin. Këta tjerët nuk e di se cilët ishin, dhe as nuk e kam njohur asnjë. Tash kam dëgjuar për këta njerëz”, u përgjigj Vuçiq.
“Vuçiq u hutua, pastaj pranoi se Milan Radoiçiq ishte në mesin e serbëve që u përplasën me policinë e Kosovës të dielën”, ka shkruar gazeta “Danas”.
Të dielën, në Banjskë është sulmuar Policia e Kosovës, ku një rreshter Afrim Bunjaku është vrarë, një polic tjetër është plagosur si dhe një tjetër është lënduar.
Lidhur me këtë rast, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte publikuar video ku shihej Radoçiq, , duke drejtuar një grup të armatosur e të uniformuar në Banjskë. Sveçla tha se është dëshmi se Radoiçiq ishte prapa sulmit.
Radoiçiq, është në listën e zezë të ShBA-së dhe të Britanisë së Madhe.