Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se ka prova të pakundërshtueshme që e lidhin Serbinë aktin terrorist të para një jave në Banjskë të Zveçanit dhe se ata që e kryen s’ishin “vetëm një tufë qytetarësh”.
“Ka prova të pakundërshtueshme që e lidhin Serbinë me aktin terrorist kundër Kosovës – nga trajnimi i terroristëve me ushtrinë serbe e deri te përdorimi i armëve të shkallës ushtarake të prodhimit serb. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të marrë një mesazh të qartë se agresioni ka pasoja”, shkroi Osmani mbi video.
Ajo i tha televizionit britanik se po bëjnë presion që bashkësia ndërkombëtare ta sanksionojë Serbinë. Osmani kërkoi që SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian ta bëjnë këtë.
Osmani tha se mënyra siç ka ndodhur deri tash, nuk është e duhura se si ndërkombëtarët duhet ta trajtojnë Vuçiqin.
E pyetur nëse sheh se në këtë ka duar Vladimit Putini, Osmani tha “duart e tij janë mbi këtë”. Kjo, sipas saj, dëshmohet edhe nga deklaratat publike që vijnë nga Moska.