Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar protestën e 1 tetorit 1997, një revoltim studentor kundër pushtuesit serb.
Kuti ka thënë se ”Protesta studentore e 1 tetorit 1997, theu një heshtje dhe frikë të gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej guximi e dinjiteti“.
Ai ka bërë homazhe te varri i profesor Ejup Statovcit, bashkë me ish-studentë e pjesëmarrës në marshimin për liri.
”Profesor Statovci ishte udhëheqës e prijës bashkë me studentët dhe organizatën e tyre gjithëpërfshirëse, Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës – UPSUP. Studentët, nuk ishin vetëm. Vepra e kontributi i tij i jashtëzakonshëm na frymëzoi të gjithëve. Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme“, ka shkruar Kurti në Facebook.
”Nderim e përulësi për secilin që ka kontribuar, që guxoi e nuk qëndroi duarkryq kundrejt shtypjes, padrejtësisë e okupimit serb“, ka thënë ai.