Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, pas intervistës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për CNN, ka thënë se “presioni” ndaj Vuçiqit ishte i dukshëm edhe gjatë intervistës së tij për mediumin amerikan.
“Krenar për mënyrën se si Vuçiq shpjegon dhe mbron interesat e Serbisë dhe luftën e tij në kohë të vështira dhe në rrethana akoma më të vështira. Lloji i presionit ndaj Serbisë dhe mënyra se si ai manifestohet ishte evident gjatë intervistës”, ka shkruar Brnabiq në platformën X.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se “prokuroria do të bëjë punën e saj” në lidhje me kriminelin Millan Radoiçiq, i cili pranoi përfshirjen e tij në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Serbia sigurisht që do të kërkojë llogari nga të gjithë personat që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai është gjithashtu i disponueshëm në territorin tonë dhe prokuroria do të bëjë punën e saj”, tha Vuçiq për CNN.
Vuçiq akuzoi Qeverinë e Kosovës se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilin Amanpour tha se Bashkimi Evropian dhe ShBA-të nuk pajtohen me këtë vlerësim.
Por, ajo i kujtoi Vuçiqit se pas negociatave në Ohër ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “i dhemb krahu”, dhe e ka pyetur nëse ka ende dhimbje apo është gati për marrëveshje, për të cilën Vuçiq ka thënë se Serbia është konstruktive dhe këtë e kanë thënë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
“Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-të dhe BE-ja se do të bëj, dhe ekziston kushtetuta e Serbisë dhe duhet ta respektoj atë”, vijoi Vuçiq.