Media boshnjake “Istraga” raporton se lideri i grupit terrorist, Milan Radoiçiq, ka qenë në Bosnje dhe Hercegovinë, në qershor. Siç raporton kjo media, Radoiçiq ka hyrë në Bosnje dhe Hercegovinë vetëm një herë këtë vit, kur ka mbërritur në Banja Luka me aeroplan nga Beogradi, në qershor. Dhe kjo është lidhja e vetme direkte e Milan Radoiçiqit me BiH-në këtë vit, shkruan Istraga.
Prokuroria serbe njoftoi të martën pasdite se Milan Radoiçiq ka thënë se ka blerë armë për sulmin në Kosovë afër Tuzlës.
Sipas Istraga asnjë agjenci policore apo e sigurisë nuk ka informacion se Milan Radoiçiq apo dikush nga grupi i tij ka blerë armë në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat më pas janë përdorur në një sulm terrorist ndaj policisë së Republikës së Kosovës, raporton “Istraga”, transmeton Gazeta Express.
Pas sulmit të datës 24 shtator, Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të madhe armësh në afërsi të manastirit të Banjskës në veri të Kosovës.
Pas sulmit ndaj policisë së Kosovës, Radoiçiq ka ikur në Serbi.
Deri më tani ai nuk është shfaqur në publik. Autoritetet serbe kanë njoftuar se e kanë arrestuar të martën dhe se i është caktuar masa e paraburgimit për dy ditë. Pas arrestimit, Radoiçiq “rrëfeu” se kishte blerë armë të prodhuara në Serbi në Tuzla.