Së shpejti del nga shtypi libri i historianit anglez, John Stoye, me titull, “Rrethimi i Vjenës”, i përkthyer nga Ejup Ramadani

Rrethimi i Vjenës nga ushtria e Perandorisë osmane në vitin 1683 ishte një nga pikat e kthesës në historinë evropiane, si dhe ballafaqim serioz për popujt perëndimor, me po aq ndikim të madh, saqë disa vende evropiane në konflikt me njëra tjetrën i dhanë fund mosmarrëveshjeve dhe armiqësive mes tyre, duke u bërë bashkë me austriakët për t’i mundur ushtritë e Islamit, siç i quanin atëbotë, gjegjësisht Perandorinë osmane e cila ndihmohej nga aleatët e saj si Tartarët, etj.

Në këtë libër autori flet për pasojat e disfatës së ushtrisë osmane, e cila pas kësaj beteje do ta humbë gjysmën e territoreve të pushtuara në Evropë, gjë e cila gradualisht do çonte në rënien përfundimtare të kësaj Perandorie e cila në Evropë vlerësohej si fitore e Kryqit mbi Gjysmëhënën, duke hapur një epokë të re në historinë e Evropës, e cila do të zgjas deri në Luftën e Parë Botërore, me 1914.

Pra, ekspeditat e Perandorisë Osmane ndaj Perëndimit do marrin hov, që nga gushti i vitit 1682, kur sulltan Mehmeti -IV- e denoncoi traktatin njëzetvjeçar të paqes me mbretin e Austrisë, Leopoldin -I-, i cili do skadonte pas dy viteve, i cili, Mehmeti -IV- e kishte nisur një ofensivë nga Ballkani që kalonte përmes Hungarisë për të përfunduar me pushtimin e Vjenës, kryeqytetin e Perandorisë austriake.

Nga historianët evropianë llogaritet se kjo ngjarje ishte e jashtëzakonshme, pas të cilës fillonte etapa e fundit e depërtimit të turqve në Evropë, pra kur ambiciet e sulltanëve për ta shtrirë sundimin e Perandorisë në Evropë, kishin filluar qysh në vitin 1529 – 1541, kur përmes një ekspansioni ushtarak drejt Evropës e pushtuan një pjesë të madhe të Hungarisë.

Historiani anglez, Jeon Stoney, në libër i përshkruan në detaje ngjarjet e vitit 1683, kur turqit u thyen keqas pas një kundërofensive të gjatë 15-vjeçare, e cila për shkak të tipareve të një aleance të shenjtë, nga ana e Papatit do quhej “kryqëzata e fundit”, dhe kur në vitin 1699 turqit u detyruan ta firmosin marrëveshjen e paqes së Karlovicit, e cila konsiderohej prej historianëve, si shenja e parë e fillimit të rënies së Perandorisë osmane.

Historiani britanik, John Stoye (1917 – 2016), në librin e tij të gjatë dhe mjaft përmbajtësor, përveç se shpjegon se si rrodhën ngjarjet, ai flet edhe për kontradiktat që ekzistonin në Evropë, dhe, se kjo përçarje mes tyre Perandorisë osmane do t’i mundësoi të depërtonte më lehtë drejt Evropës.

Autori i librit, J. Stoye, e përshkruan në mënyrë të përsosur lojën franceze, që synonte të përfitonte nga presioni osman kundër Vjenës për të goditur Spanjën, derisa Austria ishte e zënë në luftë me Perandorinë osmane, ndërsa principatat e Gjermanisë lindore merreshin me krizën baltike për shkak të Francës, duke hedhur dritë mbi përgjegjësitë evropiane, të shkaktuara pikërisht nga ndarjet dhe rivalitetet – në kapitullimin e Vjenës, e që ndërkohë rrethimi i ushtrisë osmane po shtrëngohej, dhe se kryeqyteti austriak me siguri do të ishte dorëzuar, posikur të mos kishte qenë ndihma e Sobieski”, mbretit të Polonisë.

Këto ishin në pika të shkurta vetëm disa përshkrime të asaj që përmban ky libër me vlerë të veçantë për historinë e Evropës gjatë shekullit 15-të në përballje me shtrirjen e Perandorisë osmane deri në Vjenë, duke nxitur konflikte ushtarake si dhe beteja për dominim, të cilat historinë e popujve të Evropës e kanë mbushur me ngjarje të shumta të cilat janë përmbledhur në tone librash, enciklopedish, arkiva dhe fotografi, që përbëjnë një thesar të jashtëzakonshëm për ngjarjet dhe historinë, të cilat, sado që ka qenë të dhimbshme dhe tragjike për popuj e shumtë në atë kohë, flasin qartë për qenien njerëzore, se sa të pakuptimta kanë qenë luftërat fetare dhe etnike, nga të cilat është dëmtuar shumë humanizmi, toleranca si dhe paqja midis popujve dhe shteteve në Evropë, Azi dhe botë.

Ky është përkthimi i parë i këtij libri në gjuhën shqipe nga përkthyesi dhe publicisti Ejup Ramadani, të cilin po ia ofron lexuesve shqiptarë, prandaj meriton çdo lavd dhe falënderim për kontributin e dhënë në begatimin e diturisë dhe mendimit krijues në literaturën shqiptare.

Ndaj, çdo lexuesi shqiptar, studenti të historisë, arkivit tonë kombëtar, institutit të historisë si dhe lexuesve të pasionuar, iu rekomandoj që ta lexojnë këtë libër të cilin mund ta gjeni në Prishtinë.

Historiani anglez, John Stoye, vdiq në moshën 99 vjeçare, duke lënë pas vetes një mori librash, ndër të cilat, “Rrethimi i Vjenës” (1964), zënë vend të veçantë në literaturën angleze si dhe në historinë evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published.