Sindikata e Policisë dorëzon në Kuvend peticionin me 10 kërkesa, Musliu-Shoshi: Përkrahje me vepra, boll me fjalë

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka pranuar një peticion me dhjetë kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur anëtarja e këtij komisioni, njëherit deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila ka thënë se Policia e Kosovës meriton përkrahje me vepra, “boll me fjalë”.

“Në Komisionin parlamentar për të Drejta të Njeriut kemi pranuar peticion nga Sindikata e Policisë së Kosovës me 5623 nënshkrime nga pjesëtarë të Policisë të Kosovës. Kërkesat e tyre janë të domosdoshme dhe duhet të aprovohen pa asnjë vonesë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Musliu-Shoshi tutje ka treguar se kërkesat e sindikatës janë Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund-vit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës.

“Pushteti me votë në Kuvend duhet të dëshmoj përkrahjen”, ka shkruar ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.