Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta thërrasë urgjentisht në interpelancë kryeministrin Edi Rama.
Ajo ka propozuar që Ramës t’i hulumtohet prejardhja kombëtare.
“Skandaloze, antikombetare! duhet hulumtuar origjina kombetare e tij”, ka thënë Tahiri në një shkrim në Facebook.
Shefi i qeverisë shqiptare i cili së fundmi ka shtuar thirrjet ndaj NATO-s për marrje nën kontroll të pjesës veriore të Kosovës, po ashtu ka thënë se “me kalimin e viteve, veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt”.
“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”.
“Veriu i Kosovës është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, ka thënë Rama.
Rama u ka bërë thirrje liderëve perëndimor për të zgjidhur “çmendurinë e pafund” ndërmjet vendeve të Ballkanit.
Ndërkaq, të hënën gjatë një vizite në Zagreb, Rama kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të merren masa ndaj Beogradit për sulmin terrorist në veri të Kosovës.