Baerbock vjen sot në Shqipëri, e konsideron shqetësuese situatën në Ballkan

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock vjen sot në Shqipëri, në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Baerbock do të bisedojë me liderët e dy vendeve dhe do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve që të ulin tensionet, në margjina të një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ka thënë zyra e Ministrisë së Jashtme gjermane. Takimet në Shqipëri do të mbahen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, për të promovuar bashkëpunim në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë është përshkallëzuar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator. Si pasojë e sulmit është vrarë një zyrtar policor ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues. Baerbock ka thënë se situata në rajonin e Ballkanit është “shqetësuese”.

”Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna”, është cituar të ketë thënë ajo.

Sipas saj, shenjat fillestare që ushtria serbe e ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën përbën hap fillestar të rëndësishëm, mirëpo duhet marrë edhe hapa shtesë drejt uljes së tensioneve. Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Gjermani ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë plane për rritje të numrit të ushtarëve gjermanë, të angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Aktualisht në kuadër të misionit të KFOR-it janë të angazhuar 71 ushtarë gjermanë.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.