Në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën në rigjykimin ndaj Kreshnik Haliti i akuzuar për vrasjen e shokut të tij për një borxh, prokuroria ka propozuar prova shtesë për tu administruar me të cilat mbrojtja nuk është pajtuar, ndërsa vërejtje për to pati edhe trupi gjykues.
Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin M.Z.
Meqenëse në seancën e kaluar ishte bërë administrimi i provave, prokurorja Lumturije Vuqetaj, pas analizimit të atyre të referuara dhe të konstatuara, konsideroi se disa prova kishin mbetur pa u administruar si fotoalbumi i autopsisë, 7 mars 2017, ku tha se ka 73 fotografi, vendimi mbi konfiskimin e armës, raporti balistik, provat e bashkangjitura në aktakuzë, disa foto albume si fotoalbumi i vendit të ngjarjes, si dhe shumë të tjera.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Haliti, avokati Besnik Berisha, deklamoi se për shkak se prokurorja ka propozuar prova të reja të administrohen, si dhe ndër to edhe deklarata të dhëna në procedurë paraprake, ai tha se sipas dispozitës 119 par.2 të KPRK-së, nuk lejohet të administrohen si provë e tërthortë.
Më pas, pas ndërprerjes së seancës gjykata erdhi me një konstatim që në lidhje me provat shtesë nga ana e prokurores kishin analizuar secilën provë veç e veç dhe kanë gjetur se ka përsëritje të provave dhe në lidhje me këtë kërkoi edhe një herë nga prokurorja, që të deklarohet se a ka bërë analizim në provat e propozuara.
Prokurorja Vuqetaj, tha se provat shtesë janë ato prova të cilat nuk janë të propozuara në aktakuzë por të cilat janë urdhëruar të nxirren nga kryetarja e trupit gjykues i mëparshëm, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.
Pas vlerësimit të të njëjtave ajo tha se qëndron pranë atyre propozimeve, përpos deklaratave të dëshmitarëve të dhënë në gjykatë, dhe ekspertëve të cilët janë dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor të këtij gjykimi, dhe kërkoi që të njëjtat të administrohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.
Më pas ajo sqaroi elaborimin e provave të propozuara se çka ka në to dhe çka do të vërtetohet me to.
Pas sqarimit të rëndësisë së provave të propozuara nga prokurorja Vuqetaj, avokati Berisha, tha se ai sot kishte kuptuar se prokuroria ka siguruar një ekstrakt për të kaluarën kriminale të të akuzuarit, ku sipas tij, kjo duhet të verifikohet nga ana e tyre, për shkak se përmban të dhëna që ligjërisht janë të shlyera nga evidence dhe se datojnë që nga viti 2002.
“Sa i përket provave të tjera besoj se gjykata është e njohur me nenin 253 par.1, i cili përcakton se cila provë që nuk ka të bëjë me të provuarit e veprës penale, dëmit të shkaktuar me vepër penale, mbrojtjes nga ndjekja apo ndonjë çështje të rëndësishme mund të merret si provë qartazi e parëndësishme, dhe është qartazi e pa pranueshme”, tha avokati Berisha.
Ai tha se ato prova nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij.
Tutje, ai shtoi se faktet tani më janë të provuara dhe nuk ka nevojë për prova shtesë, dhe se e drejta e të mbrojturit të tij para se të jap mbrojtjen e tij, është që ta ketë të qartë pretendimet kundër tij, provat e ligjshme në pretendimet e prokurorisë, e ku më pastaj të dal dhe të mbrohet.
Ai kërkoi listën e provave të amnistuara dhe të propozuara sot, për të dërguar përgjigjën e refuzimit të tyre.
Më pas, mbrojtësi Berisha, tha se nuk ka ndonjë propozim tjetër për ndonjë provë të re, përveç provës e cila është propozuar për të kaluarën kriminale për të ndjerin.
Pas kësaj, seanca u shty për të vazhduar më 20 tetor 2023.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.
Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin M.Z.
Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri M.Z me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.
Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
DTV