Mbledhja e së premtes e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është zhvilluar me debate me tone të larta.
Dy anëtarët e këtij institucioni, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë përplasur verbalisht për shkak të vazhdimit të mandatit të kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së edhe për një vit.
Kurteshi edhe pas largimit të pothuajse të të gjithë anëtarëve nga mbledhja, vazhdoi që të kundërshtojë vazhdimin e mandatit të kryeshefit të Sekretariatit, Burim Ahmetaj, pasi sipas tij, është vendim i kundërligjshëm.
Me këtë rast ndërhyri Sami Hamiti i LDK-së, duke thënë se duhet që t’i drejtohen Gjykatës, edhe pse tha se shumë vendime që LVV-ja i ka marrë janë heshtur poshtë.
Me këtë rast reagoi Kurteshi duke i quajtur të gjithë “qyqe” e “mshele gojën”. Debati i tyre vazhdoi edhe në korridorin e KQZ-së, që për pak sa nuk përfundoi në përleshje fizike.