Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeff Hovenier në një intervistë për Bloomberg ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet t’u kthehen bisedimeve, duke thënë se ngjarjet e 24 shtatorit nënvizojnë se kjo është çështje urgejnte. Ai ka theksuar se beson se po t’i zbatonin të dyja palët obligimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe Aneksin Ohrit, ngjarjet e tilla s’do të ndodhnin.
“Sigurisht që ngjarjet e 24 shtatorit kanë krijuar më tej një mjedis që është më pak i favorshëm që dy liderë të ulen së bashku nën lehtësimin e BE-së dhe të arrijnë në një mirëkuptim të përbashkët. Por ngjarjet e 24 shtatorit nënvizojnë gjithashtu se sa urgjente është kjo. Më duhet të besoj se nëse të dyja palët do të zbatonin plotësisht detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit Zbatues, rrethanat që pamë më 24 shtator nuk do të ndodhnin. Dhe kështu, nga këndvështrimi ynë, është jetike, është urgjente të kthehemi në një proces” ka thënë Ambasadori amerikan.
“BE-ja po e lehtëson atë, siç duhet, sepse nxitja më e mirë për të dyja palët për të marrë vendime të vështira dhe për të bërë gjëra të vështira është perspektiva për t’u afruar me strukturat dhe institucionet evropiane. Qëllimi përfundimtar është anëtarësimi në BE për të dy vendet, dhe njohja reciproke mes të dy vendeve. Këto janë qëllimet përfundimtare dhe ne besojmë se kjo arrihet përmes këtij stimulimi të anëtarësimit në BE. Pra, është e drejtë që BE-ja të marrë drejtimin” ka shtuar tutje Ambasadori.