/

Kujdes zoti Vuçiq, se turpi nuk hahet me bukë!

Spartak Ngjela

Historia e një populli ecën gjithmonë përpara me ngjarjet e veta kombëtare, dhe ajo mbetet gjithmonë kombëtare nga gjuha dhe kultura e popullit që vepron në këtë histori; por njëjerësh edhe nga heronjtë që ia kanë dhënë keto ngjarje historike edhe kombit, por edhe gjuhës. Për shqiptarët, ngjarja me vlerën me të madhe historike ka qenë periudha e luftrave të Gjergj Kastriot Skënderbeut, që ne me të drejtë e quajmë – Kastriotizëm…

I.

Pikërisht këta janë sot shqiptarët historikë dhe gjuha e tyre që nga Iliria në Arbëri, dhe, që nga Arbëria në Shqipëri.

Një numër shtetesh të bashkimit Evropuan janë mërzitur me agresionin e Serbisë në 24 shtator kundrejt Kosovës, dhe nuk kanë dashur të shprehen në lidhje me të, se gjithmonë kanë qenë me Serbinë, por që e panë se, me luftën terroriste të 24 shtatorit, Serbia tani po bëhet e papranueshme nga krejt Bashkimi Evropian.

Kurse shqiptaria po del në pah me forcë të madhe.

Dhe kjo ne shqiptarëve na kujton me krenari deklaratën brilante që mbajti Fan Noli në Lidhjen e Kombeve në vitin 1921.

Gazeta franceze “Le Petit Parisien” ka botuar, të enjten e 22 shtatorit 1921, në faqen numër 3, deklaratën ekskluzive të Fan Nolit, në lidhje me konfliktin serbo-shqiptar, deklaratë e cila shprehte se:

“Serbët, që prej tre muajsh, organizonin bandat e armatosura të artilerisë dhe të mitralozave, të komanduara rregullisht nga oficerë, të cilët vepronin në krye të ushtrisë me qëllim për të përgatitur rrugën për pushtimin. Këto grupe kanë pikën e tyre të mbledhjes në territorin serb, Prizren, ku gjendet pseudo-qeveria mirditore e Marka Gjonit dhe në Dibër. Por ata u zmbrapsën kudo. Kështu, serbëve u ra maska dhe tani ata do të sjellin trupa të rregullta”.

Dhe Fan Noli shpjegon me art patriotik në këtë deklaratë të gjithë forcën historike të Shqipërisë.

Por, edhe në datën 24 shtator të vitit 2023, pas 122 vitesh, doli sërish në pah forca shekullore antiserbe e shqiptarisë.

II.

Prandaj tani, si pasojë e kësaj force, duket sikur po kthejnë edhe evropianët.

Sigurisht, dihet se këta evropianë kanë qenë e janë me aziatikët serbë, qëkurse serbët ishin thjesht hordhi kriminale sllave që u dyndën në Gadishullin Ilirik, nga Shekulli i VII -të dhe deri në Shekullin e IX- të.

Por tani nuk kanë çfarë të bëjnë se Vuçiç ra në një akt të turpshëm, dhe që shqiptarët e thonë bukur: “kujdes zoti Viçiç, se turpi nuk hahet me bukë!”

Kush nuk e di historinë beson te gënjeshtrat shekullore të Serbisë, por së brendshmi serbët tani kanë frikë nga Shqipëria etnike. Frikë shekullore kjo e tyre, sepse dihet që nuk është e re në historinë e Serbisë, por tani shqiptarët me një luftë fitimtare kanë çliruar Kosovën dhe kanë krijuar realisht idenë shekullore të bashkimit kombëtar. Dhe Kosovën ia kanë shkëputur pushtuesit – Serbisë.

Ja, është pikërisht kjo që e ka trembur Serbinë.

Por nuk po ndihen të trembur vetëm serbët. Sepse ka një aksiomë në histori që thotë: Pushtuesi e ka frikë të rëndë gjëmën e tij të brendshme, kur të pushtuarit ngrihen kundër tij.

Prandaj…

Pavarësia e Kosovës, duan apo nuk duan sllavët e antishqiptarizmit, është tani një fakt me vlerë të madhe historike, jo vetëm për shqiptarinë, por për të gjithë Evropën. Sepse që nga ky vit do të fillojë të rishkruhet historia e vet Evropës, sepse autoktonia shqiptare dhe gjuha shqipe kanë hapur rrugën drejt të vërtetës historike të fshehur me dhunë ndërkombëtare…

III.

Nga shpallja e pavarësisë së Kosovës…

Të tremburit e parë kanë qenë dhe janë grekët.

Elitat greke të politikës, historisë dhe letërsisë i ka trembur gjithmonë shumë shqiptarizmi si doktrinë e Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë.

Dhe po vijon t’i trembë. Por sot edhe më shumë, sepse pavarësia e Kosovës ka ardhur me luftë ku në aleancë kanë qenë NATO dhe UÇK.

Kjo, sepse i gjithë reaksioni grek në afër 200 vjet, me luftën e vet antishqiptare, nuk i mundi dot shqiptarët.

Ata tani janë në ribashkimin e tyre historik.

Janë dy shtete shqiptare në Ballkan, dhe Greqia politike dhe ajo reaksionaria kanë frikë për Çamërinë; por, gjithashtu, edhe nga arvanitasit që janë themeluesit e heroizmit grek për pavarësinë e Greqisë në vitin 1821.

Qeveria greke, që nga ngjarjet e Kosovës, me frikë, gjithmonë ka pyetur: mos po të krijohet edhe në Greqi Ushtria Çlirimtare e Çamërisë – UÇÇ?

Shqiptarët, në luftrat e tyre Çlirimtare, shpesh janë tradhtuar nga krerët e tyre. Shqiptarët çliruan Greqinë, pa ata, domethënë Arvanitasit, Greqia nuk do të dilte dot nga Anadolli.

Arvanitasit heronj të kryengritjes së Greqisë në vitin 1821 ishin: Gjeorgjio Kundurioti, Kiço Xhavella, Andoni Kryezi, Teodor Kollokotroni, Marko Boçari, Noti Boçari, Kiço Boçari, Laskarina Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Dhimitër Vulgari, Kostandin Kanari, Gjeorgjio Karaiskaqi, Odise Andruço, Andrea Miauli, Teodor Griva, Dhimitër Plaputa, Nikolao Kryezoti, Athanasio Shkurtanioti, Hasan Bellushi, Tahir Abazi, Ago Myhyrdani, Sulejman Meto, Gjeko Bei, Myrto Çali, Ago Vasiari dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë.

“Ne menduam se po çlironim Shqipërinë, por mbreti Oto, që na e sollën si mbret ndërkombëtarët, na tha: Ju keni çliruar Greqinë dhe jo Arbërinë”.

Këtë na kanë thanë atëherë me indinjatë Kolokotroni, Bubulina, Anastas Gjirokastriti, Gjeorgjio Karaskaqi e gjithë të tjetër.

IV.

Por historia është histori dhe etnia është etni. Koha ka ndryshuar dhe shqiptarët janë në ngritje etnike, dhe sot në Greqi e dinë shumë mirë këtë. Madje tani e mësuan grekët se greqishtja e vjetër është shqipja e lashtë, se greqishtja e vjetër, sot, në mënyrën kuptimore të fjalës, shpjegohet vetëm me gjuhën shqipe. (Shih veprën madhore Arvanitët, të shkruar nga historiani i madh grek Aristidh Kola)

Të gjithë antishqiptarët heshtin për këtë të vërtetë, por makthi u qëndron brenda tyre.

Gjithçka po flet për historinë e Shqipërisë, por sidomos dalja e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, të gjithë antishqiptarët i ka tulatur.

Sidomos zhvillimi që po merr Kosova e pavarur është akti shprehës që flet për Shqipërinë etnike.

Por e keqja jonë ka qenë dhe mbetet të jetë qeveria e Tiranës, sepse qeveritë e Shqipërisë kanë një shekull që shiten.

Vetëm diktatura komuniste nuk shiti interes kombëtar, por ajo humbi në histori se ishte diktaturë me ashpërsi tiranike kriminale…

Ja shihni dhjetë vjetët e fundit: asgjë shqiptare në kuptimin kombëtar midis dy shteteve shqiptare në Ballkan. Heshtje dhe një mospranim i brendshëm i qeverive të Tiranës kundrejt qeverive të Prishtinës. Turp historik! por këta janë qeveritarët e Shqipërisë, dhe sidomos ky kryeministri i sotëm që dallohet se po vuan që nuk e kupton dot fare fuqinë e shqiptarizmit në Ballkanin Perëndimor.

Ky kryeministër nuk po e kupton dot se, që ai të ketë sukses historik, ose do të pranojë shqiptarinë si doktrinë esenciale të zhvillimit shqiptar, ose do të flaket i hedhur poshtë nga shqiptaria në fuqi historike, fuqi force kjo që sot po ecën paralel me krenarinë shqiptare. Dhe na duhet të theksojmë sakaq që kjo krenari e spikatur sot e ka shqetësuar me patologji edhe Athinën, edhe Beogradin.

V.

Çdo kryeministër antishqiptar i paguar nga antishqiptarizmi ka dështuar. Sepse të gjithë nuk e kanë kuptuar dot Kastriotizmin, nuk e kanë kuptuar dot Lidhjen e Prizrenit që ka qenë Kastriotizëm i kulluar, nuk e kanë kuptuar as Qemalizmin që ka qenë Kastriotizëm ne akt dhe fitimtar historik.

Por, duhet theksuar se të gjithë kryeministrat antishqiptarë që kanë kaluar në Tiranë, nuk i kanë bërë dot gjë shqiptarizmit si doktrinë, e cila pasi doli nga Lidhja e Prizrenit, tani, nën hundën e armiqve të egër antishqiptarë, ka krijuar dy shtete shqiptare me mbi 6 milionë banore, duke futur këtu edhe Maqedoninë e Veriut, sepse edhe ajo shumë shpejt Shqipëri do të jetë, njëlloj si edhe Kosova.

Sot, të gjithë historianët dhe politologët e kanë kuptuar që Kosova, vetëm emrin e ka lokal, sepse, në thelbin racional dhe historik të saj, edhe Kosova Shqipëri është.

Por, pyetja që po ngre unë këtu është Kjo: e di politika amerikane që në konfliktin që po hap me histeri Moska kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në disa pika të Gadishullit Ilirik, bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor është domosdoshmëri për mposhtjen e agresionit aktual antidemokratik të Rusisë?

Leave a Reply

Your email address will not be published.