Për sulmuesin kuqezi të Kombëtares, Taulant Seferi, konkurrenca në ekip nuk është aspak problem.
Djaloshi shqiptar vlerëson grupin kuqezi, ndërsa thekson se skuadra është e fortë, e karikuar dhe e fokusuar maksimalisht për ‘finalen’ ndaj Çekisë.
Seferi vlerëson sulmin shqiptar, ndërsa ka edhe një thirrje për të gjithë tifozët shqiptarë: të shmangin hedhjen e flakadanëve apo sendeve të tjera në fushë.
Taulant Seferi nënvizon gjithashtu se Çekia është një skuadër shumë e fortë, ndërsa premton nga ana tjetër se kuqezinjtë do të japin maksimumin e tyre ashtu sikurse në ndeshjet e tjera.
“Për Kombëtaren, është shumë mirë kur ka konkurencë dhe ne kemi një grup shumë i fortë. Sa i përket se kush do të luajë e kush jo, e vendos trajneri dhe ne na mbetet vetëm të punojmë fort dhe t’i tregojmë se jemi gati. Pastaj do shohim se kush do e nisë si titullar e kush jo”, u shpreh Seferi.
“Këto janë tre finale. Fokusi ynë është te ndeshja e radhës dhe besoj që energjia e lojtarëve është ajo e duhura. Ne kemi ardhur të karikuar e të fokusuar maksimalisht. Uroj që në këtë ndeshje të dalim me rezultat pozitiv dhe të shohim më Tpas ndeshjet e radhës”.
Seferi theksoi se ky është sulmi më i mirë që ka pasë kombëtarja shqiptare.
“Besoj se po, pasi kemi bërë shumë gola. Besoj se ky është sulmi më i mirë që ka pasur Kombëtarja. Kjo më bën të lumtur sepse konkurrenca e bën grupin dhe ekipin më të fortë. Shpresojmë që kjo konkurrencë e madhe në grup të na shërbejë për rezultate pozitive. Kur Kombëtarja shënon, është diçka e bukur për ne sulmuesit dhe diçka e mirë. Kombëtaren nuk e bën një repart, por ne jemi grup dhe forca më e madhe e skuadrës është grupi”, shtoi Seferi.
“Është motivim shtesë. Ne luajmë për të shënuar dhe jemi të lumtur kur shënojmë. Shpresoj që të shënojmë edhe tani me Kombëtaren, sepse është koha”.
Ai gjithashtu theksoi se do të japin gjithçka në fushën e lojës.
“Shpirtin luftarak dhe zemrën. Tifozët. Me ta jemi më të fortë, kjo edhe për faktin që luajmë në shtëpi dhe na jep një shtysë edhe më të fortë neve si lojtarë. Po shfrytëzoj edhe rastin për një thirrje kundrejt tifozëve: Mos hidhni flakadanë sepse do na dënoni. Ne kemi nevojë për ju. Na duhet përkrahja juaj edhe në ndeshjet e radhës. Kini kujdes me hedhjen në fushë të flakadanëve apo sendeve të tjera”.
“Çekia është kundërshtari më i fortë i këtij grupi. Ka pësuar vetëm dy gola dhe nuk ka asnjë humbje. Çekia nuk është vetëm Shik. Janë një Kombëtare fizikisht e fortë dhe duhet të kemi kujdes. Por siç e thashë edhe më herët, ne duhet të lëmë shpirtin e zemrën në fushë në këtë ndeshje dhe shpresoj që t’ia dalim”.