Trajneri brazilian Sylvinho ka thënë se ndeshja ndaj Çekisë është finalja e parë për Shqipërinë drejt kualifikimit për në Evropian. Tekniku brazilian ka thënë se për ta mposhtur Çekinë, lojtarët e Shqipërisë duhet të derdhin shumë djers të enjten mbrëma në fushën e stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ndeshja Shqipëri – Çeki luhet të enjten nga ora 20:45 dhe i takon kualifikimeve për Euro 2024.
“Kemi tre finale dhe nesër do të jetë e para, që nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por nuk do të jetë vendimtare për kualifikim. Luajmë ndaj një kundërshtari fizikisht, ndaj një kundërshtari që nuk ka humbje ende. Duhet të derdhim shumë djersë nesër”, ka thënë Sylvinho në konferencën për media të mërkurën.
Sylvinho është i kënaqur me arritjen e deritashme të Shqipërisë.
“Kemi bërë paraqitje të mirë deri këtu, por forca e ekipit është shpirti i garës, zemra dhe përkrahja. Ka entuziazëm të madh në opinion, por nuk kemi pasur shumë punë brenda grupit, pasi janë të ndërgjegjshëm dhe të motivuar për një ndeshje të tillë”, është shprehur ai.
Sylvinho ka treguar se Shqipëria do të paraqitet pa Armando Brojën ndaj çekëve, kurse i gatshëm do të jetë Klaus Gjasula.
“Broja është stërvitur shumë pak dhe pas konsultave dhe ndjen një shqetësim, nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Çekisë. Gjasula erdhi dhe kemi bërë testet tona, ai do të jetë gati për ndeshje”, ka theksuar Sylvinho.
Ai ka thënë se rezultati ndaj Çekisë nuk do të jetë vendimtare për kualifikim.
“Është ndeshje si të gjitha tjerat. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Por, nëse flasim në këtë situatë, është më e rëndësishmja për mua, por nuk do të jetë ndeshje vendimtare. Për mua si trajner është një nga ndeshjet më të rëndësishme që kam pasur si trajner”, është shprehur Sylvinho.
Përzgjedhësi Sylvinho është i bindur se lojtarët do ta japin shpirtin në fushë për t’i gëzuar në fund mbështetësit shqiptar.
“Është e rëndësishme të tregojmë shpirtin dhe zemrën për shikuesit. Kjo është forca e skuadrës dhe të jeni të sigurt që kjo nuk do të mungoj. Nëse flasim për aspektin taktikën, pak a shumë e njëjtë me ndeshjen e parë. Ata janë të fortë, janë të fortë në transicion, bëjnë zbritje me 5-6 lojtarë. Janë të fortë edhe në goditjet standarde. Duhet të përgatitemi shumë mirë”, ka thënë Sylvinho