Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje ta respektojnë rregulloren e Kuvendit për mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme.
“Unë iu thërras që ta respektoni rregulloren e Kuvendit dhe njëherë ta marrë përfundimin ajo seancë dhe pastaj të vazhdohet seanca e re e thirrur si vazhdim. Paraprakisht ishte një kërkesë nga opozita për seancë të jashtëzakonshme. Ju si kryetar i Kuvendit, edhe në prani të shumicës parlamentare që kanë ardhur tani, duhet ta jepni një verdikt për mbylljen apo vazhdimin e asaj seance të jashtëzakonshme. Neni 68 pika 4 e rregullores së kuvendit, e thotë që seanca e jashtëzakonshme duhet të mbahet jo më shumë se 72 orë nga paraqitja e kërkesës. Seanca ka filluar, por nuk është mbajtur për shkak të mungesës së shumicës kuvendore dhe nuk mund të fillojë një seancë tjetër pa u mbajtur kjo seancë, po ashtu pa u shterë neni 68.4 i rregullores së punës së Kuvendit”, deklaroi Zemaj para deputetëve në vazhdimin e seancës në Kuvend.
Kujtojmë që sot në Kuvendin e Kosovës është thirrur seancë e jashtëzakonshme, në të cilën pikë e rendit të ditës ka qenë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës”.
Mirëpo, miratimi i kësaj rezolute ishte i pamundur pa pjesëmarrjen e deputetëve të Vetëvendosjes.