Rreshteri i Policisë së Kosovës, kampioni Anton Cena, së fundmi i ka sjellë Kosovës katër medalje nga Spanja, ku njërën ia ka dhuruar familjes së policit të vrarë, Afrim Bunjaku.
Garat në disiplinën e sporteve luftarake në lojërat e 11-të për Policë, Doganierë dhe Zjarrfikëse, nxorën rreshterin e Kosovës fitues me katër medalje.
Ai gjithashtu fitoi edhe në garën e mbajtur në disiciplinën notit 2000 m, në ujë të hapur.
Në një intervistë, Cena thotë se për të ka qenë kënaqësi e madhe të merrte pjesë në lojërat e organizuar në Spanjë.
Ai deklaron se që nga nisja për në shtetin spanjoll e kishte menduar se nëse fiton një medalje do t’ia dhurojë familjes së policit, Afrim Bunjaku.
“Kënaqësia ime më e madhe ishte se që nga nisja në Spanjë, njërën nga medaljet të cilën do ta fitoj, në kokën time ka qenë e pranishme çdo herë mendimi që t’i dhurohet heroit tonë të fundit, Afrim Bunajku, dhe ja kam dhuruar familjes. Po ashtu, kam kërkuar nga familja që anëtari më i vjetër të bëhet polic, dhe të bëhet siç ka qenë i ati i tij, familja më ka përgëzuar për idenë, dhe kanë thënë se do të punojnë në atë drejtim”, është shprehur ai.
Cena bëri të ditur se në gara kanë marrë pjesë rreth 39 shtete të Evropës.
“Ka qenë një sfidë jashtëzakonisht e madhe, ë kanë marrë pjesë rreth 39 shtete të Evropës, me katër institucione, policë, doganier, korrektues dhe zjarrfikës.
“Pra ka qenë sfidë e çdo polici që ta sfidojë vetën, ta përfaqësojë institucionin dhe shtetin në mënyrën më të mirë që është e mundur. Pra, qëllimi im ka qenë përfaqësimi dinjitoz i shtetit në një vend që ende nuk e ka njohur pavarësinë”, theksoi ai.
Megjithatë, Cena thotë se në fillim të hapjes zyrtare ka munguar flamuri i Kosovës dhe se autoritetet spanjolle nuk kanë lejuar të vendoset për shkak se ky shtet nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
“Sfida ishte e madhe në hapje zyrtare mungonte flamuri i Kosovës për arsye se Spanja nuk kishte pranuar, unë si pjesëmarrës i vetëm në këtë garë, kërkova nga organizatori që të ngritet flamuri i Kosovës, ata thanë së me ligjet e Spanjës është e ndaluar paraqitja e simboleve të shtetit të Kosovës. Në atë moment u irritova dhe hapa flamurin e Kosovës, dhe kam shpalosur të gjitha simbolet tona. Kjo është është e tretë që paraqes simbolet tona në Spanjë”, pohoi ai.
Cena bëri të ditur se deri tani Kosovës ia ka sjellë tetë medalje nga shteti spanjoll.
Sa i përket punës në Akademinë për Sigurinë Publikë, ai thotë se është mbikëqyrës i shkathtësive operative të policëve.
“Në ora 08:00 filloj punën në Akademinë për Sigurinë Publike që kam aktivitet fizik tërë ditën, pas punës filloj në palestër ku i kaloi edhe 4 orë. Jam pra mbikëqyrës i shkathtësive operative të policit, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike që nga vitit 2000, kadetët trajtohen për shkathtësi fizike”, tha ai.
Gjatë intervistës, Cena tha se planifikon të marrë pjesë edhe në kampionatin në Portugali, ndërsa bëri të ditur se deri tani ka fituar mbi 30 medalje.
“Jam përfaqësues i denjë i Kosovës”, tha në fund të intervistës, rreshteri Cena.