Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, ka paralajmëruar deri në pesë ndryshime në përbërje për ndeshjen miqësore ndaj Bullgarisë. Ndeshja Shqipëri – Bullgari zhvillohet të martën prej orës 18:00, në “Air Albania” në Tiranë, ndërsa përzgjedhësi Sylvinho i ka dhënë peshë të madhe asaj.
Shqipëria është në moment shumë të mirë. Javën e kaluar e mposhti Çekinë me rezultatin 3:0 dhe hapi rrugën drejt kualifikimit në “Euro 2024”. Për Sylvinhon është miqësorja e parë me kuqezinjtë. Deri më tash ka drejtuar kombëtaren shqiptare vetëm në ndeshje kualifikuese dhe atë me sukses shumë të madh.
“Fjala miqësore për mua nuk ekziston. Miqësoret janë vetëm ato 11 kundër 11 që luajmë me njëri-tjetrin në stërvitje. Mund të ketë tri, katër apo maksimumi pesë ndryshime. Do të respektojmë edhe klubet për lojtarët që luajnë çdo tri ditë, por sigurisht që nuk do të bëjmë shumë ndryshime pasi është mundësi për të provuar variacione dhe për të vijuar procesin e rritjes”, ka thënë Sylvinho të hënën në konferencë për shtyp.
Ai ka bërë të ditur se kishte dërguar një bashkëpunëtor për ta vëzhguar Bullgarinë dhe se e respekton maksimalisht ndeshjen ndaj saj.
Tekniku brazilian ka theksuar se edhe lojtarët e kuptojnë rëndësinë e ndeshjes që “e sheh e gjithë bota”. Ka folur edhe për raportet për përplasje me Armando Brojën, duke mohuar një gjë të tillë. Ka thënë se Broja u largua para ndeshjes me Çekinë pasi në bashkëpunim me mjekët e Chelseat u vendos se nuk është në gjendje të luajë për shkak të një lëndimi.
Shqipëria udhëheq në grupin kualifikues për “Euro 2024” me 13 pikë nga gjashtë ndeshje. Çekia është e dyta me 11 pikë. Dy të parët në grup kualifikohen në Evropian. Polonia është e treta me 10 pikë nga shtatë ndeshje, ndërsa pason Moldavia me nëntë pikë nga gjashtë ndeshje.
Më 17 nëntor Shqipëria luan në udhëtim ndaj Moldavisë. Më 20 nëntor e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe. Në këto dy ndeshje pritet të konfirmohet kualifikimi. Por Sylvinho vazhdon të jetë i matur.
“Objektivin nuk e kemi arritur ende. Kemi bërë një rrugëtim shumë pozitiv deri këtu, por gara është ende e hapur. Në nëntor, kur ta sigurojmë plotësisht biletën për në Evropian, do të nisim të mendojmë se larg mund të shkojmë. Deri në nëntor nuk mund të mendojmë për Gjermaninë pasi nuk jemi ende atje”, ka thënë Sylvinho.
Ai e ka mendjen te ndeshjet e nëntorit dhe jo te mundësia e vazhdimit të bashkëpunimit me FSHF-në. Ka lavdëruar futbollistët, duke vlerësuar se po paraqiten mirë dhe se po luajnë me zemër.
Në konferencë foli edhe portieri Thomas Strakosha. Ai në ndeshjet e fundit ishte rezervist i Etrit Berishës.
“Në fushë futemi gjithnjë për të fituar. Çdo ndeshje është e rëndësishme për të krijuar një skuadër solide dhe është e rëndësishme të kenë minuta ata që luajnë më pak, për t’u ndier më të rëndësishëm”, ka thënë Strakosha.
Ai është i lumtur me rezultatet e Kombëtares, ndërsa ka thënë se grupi i lojtarëve është shumë pozitivë.
“E meritojmë kualifikimin dhe madje edhe vendin e parë. Jemi të bashkuar prandaj edhe vijnë rezultatet. Lojtarët tani nuk ndryshojnë shpesh dhe në Kombëtare nuk ke kohë për të krijuar grupin. Është meritë e trajnerit. Jemi afër njëri-tjetrit dhe kjo duket edhe në fushë”, ka shtuar Strakosha.
Pos Brojës, për shkak të lëndimit nga grumbullimi është larguar edhe Mirlind Daku. Ndërkohë në ekip për ndeshjen me bullgarët nuk është as Keidi Bare. Marvin Çuni është ftuar së fundi.