/

Shala për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit: Nuk na është dhënë qasje në vlerësimet për kandidatët

Gzim Shala nga IKD në emisionin “Frontal” të T7 ka folur për refuzimin e presidentes Osmani për ta dekretuar Blerim Isufajn si kryeprokuror.

“Secilit i është bërë nga një pyetje e hapur se a ka diçka që bie ndesh me kredibilitetin tuaj, natyrisht që secili ka thënë jo”, u shpreh Shala.

Fajin për mosdekretimin e Blerim Isufajt nga Osmani si kryeprokuror, Shala e hedh te Këshilli Prokurorial të Kosovës.

“Çështja në rastin konkret i atribuohet KPK që nuk ka arritur ta zhvillojë një proces të rregullt, nga procesi nuk guxon të dalë emri i kryeprokurorit të shtetit. Ka pasur disa pyetje që i janë bërë një kandidati, por jo një tjetri. Do duhej të kishte pasur një metodologji standarde për secilin”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se KPK ka pavarësi, mirëpo vlerësimet e tyre i konsideron “solide”.

Sipas tij, KPK e krijon një komision përzgjedhës të cilët intervistojnë kandidatët dhe i poentojnë ata.

“Anëtarët e komisionit përzgjedhës e bëjnë poentimin për secilin kandidat. Një anëtar në këtë komision duhet të jetë nga shoqëria civile që zgjidhet nga Kuvendi, që nuk është zgjedhur shumë vite.”

Ai është ankuar në KPK’në që nuk iu kanë dhënë qasje në vlerësimet për secilin kandidat.

“Nuk na është dhënë qasje në vlerësimet për secilin kandidat, arsyetimet kanë qenë të përgjithshme. Publiku nuk ka mundur ta shohë se si janë poentuar kandidatët dhe pse janë poentuar ashtu. Si observues të pavarur, rasti konkret nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin.”

Një prej rekomandimeve të organizatave të shoqërisë civile, Shala thotë se ka qenë që KPK ta kthejë procesin nga pika zero dhe të adresohen vërejtjet e bëra gjatë procesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.