Zbulohet ‘mashtrimi’ që fshihet pas draftit të pesëshes evropiane për Asociacionin – Bytyçi zbërthen detaje – paralajmëron Kurtin e Osmanin

U raportua se pesë emisarët e BE-së që u takuan me kryeministrin Albin Kurtin, kanë sjellë draft statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të përgatitur nga ekipet e tyre. Ky draft-statut i Asociacionit mbështetet edhe në Pakon e Ahtisaarit që është edhe baza e Kushtetutës së Kosovës.

E për këtë ka reaguar Prof.dr. Enver Bytyçi.

Ai tha se këtu kanë një ‘hile’, pasi Asosacioni nuk duhet të bazohet “edhe në pakon e Ahtisaarit”, por vetëm në pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës është hartuar dhe miratuar kushtetuta e Kosovës.

Bytyçi tha se termi i përdorur “edhe në pakon e Ahtisaarit” është një rreng mashtrimi për të fshehur djallin që ndodhet jashtë kësaj pakoje, përcjell “Bota sot”.

Kësisoj, u shpreh se përfaqësuesit e shtetit, përfshirë krerët opozitarë nuk duhet të pajtohen me këtë gjë.

Postimi i plotë

Po thuhet se pesëshja euro-amerikane ka sjellë për qeverinë e Kosovës një draft-statut të Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Dhe se ky draft-statut është i bazuar “edhe në pakon e Ahtisaarit”, dmth në kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri Kurti, presidentja Osmani, por edhe opozita kanë deklaruar para e pas zgjedhjeve parlamentare se Asosacioni do të bëzohet në frymën, nenet dhe konceptin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo do të thotë: – Asosacioni nuk duhet të bazohet “edhe në pakon e Ahtisaarit”, por vetëm në pakon e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilës është hartuar dhe miratuar kushtetuta e Kosovës.

Kur thuhet “edhe në pakon e Ahtisaarit”, kuptohet lehtë se ka pjesë jashtë kësaj pakoje. Pra jashtë kushtetutës. Përdorimi i termit “edhe në pakon e Ahtisaarit” është një rreng mashtrimi për të fshehur djallin që ndodhet jashtë kësaj pakoje! Nuk besoj se zoti Kurti, zonja Osmani, zoti Konjufca e as kryeopozitarët, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj do të pajtohen me pjesën jashtë pakos së Ahtisaarit dhe kushtetutës së Kosovës!

Por që ta fitoni betejën për ruajtjen e rendit kushtetues duhet së paku në këto momente të bëheni bashkë. Ndryshe duhet hapur në Prishtinë një kolegj për edukimin e mashtruesve, servilëve dhe naivëve që besojnë të pabesueshmen për të shkatërruar shtetësinë dhe cënuar integritetin territorial të Kosovës!

Leave a Reply

Your email address will not be published.