Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses- Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e të paditurës- Qeveria e Republikës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit 2022, duke e lënë kështu në fuqi vendimin e 12 shkurtit 2020.
Me vendimin e 13 tetorit 2023, Gjykata ka vlerësuar se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë nuk mund të ulen gjatë mandatit të tyre, pasi që janë të drejta të fituara dhe të garantuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të cenohen.
“Gjykata në frymën e Kushtetutës së Republikës se Kosovës, dispozitave ligjore të lartcekura, Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare dhe praktikave gjyqësore të vendeve të ndryshme evropiane erdhi në përfundim se, vendimi kontestues i të paditurës nuk është i bazuar në ligj, andaj gjykata, kërkesëpadinë e paditëses e aprovoi si të bazuar duke anuluar vendimin e të paditurës, Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 23.11.2022, me numër të referencës Nr.03/109, si të kundërligjshëm dhe duke lënë në fuqi vendimin i datës 12.02.2020 me numër 01/02 , e nxjerr nga Qeveria e Republikës se Kosovës, ashtu si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Themelores.
Ky aktgjykim, thuhet se zëvendëson aktin administrativ të anuluar dhe ka karakter detyrues për palët.
“Nga provat e administruara gjykata gjen se, me vendimin e datës 12.02.2020, me numër 01/02 e nxjerr Qeveria e Republikës së Kosovës është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër nr.04/20 i datës 20.12.2017; 2. Pagat për pozitat e përcaktuara me vendimin e shfuqizuar nga pika 1, kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm; 3.Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese në pajtim me nenin15 të Ligjit Nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; nenin 35, paragrafët 1 dhe 2, të Ligjit Nr.06/L-054 për Gjykatat nenin 21 paragrafi 1, nën – paragrafët 1.1 deri në 1.10 të Ligjit Nr.03/L-225 për Prokurorin e Shtetit; nenin 18, paragrafi 1, të Ligjit Nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe nenin 18, paragrafi 1, të Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial; 4. Ky vendim vlen deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin KO219/19 për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në vendim, raporton betimiperdrejtesi.
Po ashtu, thuhet se me vendimin kontestues të së paditurës të 23 nëntorit 2022, është shfuqizuar pika 3 dhe 4 e vendimit nr. 01/02 datë 12 shkurt 2020, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkak të rrethanave të ndryshuara ligjore, ku pagat e sistemit gjyqësor, përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm, kurse pikat tjera mbetën të pandryshuara.
Paditësja, e pakënaqur me vendimin e të paditurës, ka ushtruar padi në këtë gjykatë me datë 9 nëntor 2022, duke e kontestuar ligjshmërinë e të njëjtës.
Ndryshe, më 29 nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar padinë nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të marrë nga kjo e fundit për uljen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që të aprovohet padia e paditëses si e bazuar dhe të anulohet vendimi kontestues i të paditurës.
Aty thuhet se në padi është theksuar që vendimi i të paditurës është i kundërligjshëm pasi cenon të gjitha standardet dhe garancionet e sistemit të drejtësisë mbi pavarësinë institucionale dhe financiare të institucioneve të drejtësisë dhe po ashtu bije ndesh edhe me dispozita kushtetueses dhe ligjore që garantojnë pozitën financiare respektivisht pagën e prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë.
Kurse, thuhet se e paditura në përgjigjen në padi të 11 shtatorit 2023, e konteston në tërësi kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar, duke theksuar se vendimi i të paditurës, i 23 nëntorit 2022, nuk bie ndesh me asnjë dispozitë ligjore, përkundrazi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ekuivalente me pagat e kabinetit qeveritar.
Gjykata, për të vlerësuar ligjshmërinë e aktit kontestues të paditurës thuhet se iu është referuar Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit, respektivisht nenit 21, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10, i cili përcakton se, “pavarësisht nga ndonjë dispozitë tjetër e ligjit, paga e prokurorëve të shtetit nuk do të zvogëlohet gjatë periudhës së shërbimit të tyre përpos nëse kjo caktohet si sanksion nga Këshilli Prokurorial apo Komisioni Disiplinor i Këshillit bazuar në përcaktimin se prokurori i shtetit ka kryer sjellje të pahijshme apo ndonjë vepër penale”.
Në vendim, thuhet se Gjykata është bazuar edhe në nenin 35, paragrafi 2 i Ligjit nr. 06/l-054 për Gjykatat, i cili përcakton se, “paga e një gjyqtari nuk do të zvogëlohet gjatë mandatit në të cilin gjyqtari është emëruar, përveç sanksionimit disiplinor të vendosur nën autoritetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”.
Sipas vendimit të Themelores, pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve garantohen me ligj dhe duhet të jenë në përpjesëtim me dinjitetin e profesionit të tyre dhe barrën e përgjegjësisë dhe se paga e tyre nuk mund të ulet përgjatë mandatit të tyre, përveç situatave të jashtëzakonshme të vështirësive ekonomike.
Themelorja thuhet se është bazuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese ref. AGJ 1584 /2020, i cili ka përcaktuar se zvogëlimi i buxhetit nga pushteti ekzekutiv është një shembull se burimet e gjyqësorit mund të vihen në presion të tepruar dhe të padëshiruar, nuk eksiton një rregull që krijon garanci absolute se pagat në sektorin publik nuk mund të zvogëlohen, por se ulja e pagave duhet të jetë e arsyetuar dhe asnjëherë arbitrare, andaj ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodh vetëm nën kushte të një krize të theksuar financiare.
Sipas Gjykatës, vendimi kontestues i të paditurës nuk është nxjerrë mbi bazën e ndonjë situate të jashtëzakonshme ose vështirësie financiare, pasi edhe vetë buxheti për vitin 2023, parashikon rritje ekonomike në vlerën prej 2.6%, e që nga kjo konsiderohet se e paditura ka vepruar në mënyrë jo të drejtë, pasi shteti nuk ka ndonjë krizë financiare të jashtëzakonshme ekonomike.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative më 2 dhjetor 2022 kishte vendosur për pezullimin e vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Lidhur me vendimin e Qeverisë, kishte reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.