Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme të enjten, diskutohet ngritjen e koeficientit të pagave
Kuvendi i Kosovës të enjten mban seancë të jashtëzakonshme, në të cilën rendi i ditës do të jetë: Debat parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave
Në ftesën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se seanca plenare do të mbahet nga ora 12:00.
Ndryshe, kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është dërguar nga Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në emër të deputetëve nënshkrues.
Në arsyetimin e kërkesës, thuhet se gjendja e përgjithshme sociale dhe ekonomike në vend është jo e mirë dhe dita ditës po shënon përkeqësim të vazhdueshëm, Qeveria nuk ka arritur që përmes politikave sociale, financiare dhe investuese të adresojë rritjen e inflacionit, që raportohet deri në 20%.
“Kur ky inflacion sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës shoqërohet me rritje të lartë të çmimeve të të gjithë artikujve ushqimor bazik, disa prej të cilave mes 70 deri 100%, kemi të bëjmë me një situatë alarmante të ngritjes së çmimeve”, thuhet në kërkesë.
Aty përmendet që gjatë mandatit të kësaj Qeverie, opozita ka propozuar ndarjen e një shume nga mjetet e Trusti, rritjen e pagës minimale, rritjen e koeficientit, por që nuk kanë gjetur mbështetje.
Ndërsa, thuhet se Ligji i Pagave nuk i ka adresuar as për së afërmi vështirësitë sociale dhe ekonomike të zyrtarëve publikë.
“Pavarësisht faktit që Ligji i Pagave pritet të marrë një epilog të drejtë në Gjykatën Kushtetuese, deri në atë moment konsiderojmë që është e një rëndësie primare që qeveria, të marrë me seriozitet propozimin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për adresimin e vlerës së koeficientit”, thuhet në kërkesë.
Andaj, Grupi Parlamentar i AAK-së, ai i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si nënshkrues të kësaj kërkese, kanë kërkuar caktimin e seancës së jashtëzakonshme, me qëllim të ndryshimit të vlerës së koeficientit të pagave.
Me këtë, kërkohet nga Qeveria që në ndarjet buxhetore për vitin 2024, të propozojë buxhetin e nevojshëm, ashtu që vlera e koeficientit të pagave nga 105 euro sa ishte në vitin 2023, për vitin e ri fiskal 2024, të ngritet në 129 euro dhe të bëhen përgatitjet e nevojshme që ky ndryshim të hyjë në fuqi nga 1 janari 2023.
DTV