Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen nesër në Bruksel për herë të parë që nga një përplasje e dhunshme mes paraushtarakëve serbë dhe policisë së Kosovës që la të vdekur katër persona muajin e kaluar.
Kështu ka raportuar gazeta “Financial Times” në një artikull të publikuar sot në mëngjes.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë për gazetarin e Financial Times, se perëndimi duhet t’i shuajë shpresat e tij për t’i rikthyer bisedimet në rrugën e duhur – nëse nuk tregohet më i rreptë me Serbinë.
BE-ja është e etur për të stabilizuar situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila vjen në krye të luftërave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Por Kurti, i cili fajëson Beogradin për sulmin, tha se nuk do të ketë lëvizje derisa bashkësia ndërkombëtare të dënojë Serbinë.
Qeveria serbe ka mohuar çdo përfshirje në sulm, pavarësisht nga sasia e armëve prej miliona eurosh të përdorura nga paraushtarakët dhe të prodhuara kryesisht në Serbi. Ish-nënkryetari i partisë serbe të Kosovës, Milan Radojiçiq, u arrestua dhe pranoi se ishte organizatori i operacionit, por tha se nuk kishte marrë urdhra nga qeveria në Beograd.
Kurti i akuzoi sulmuesit se u “përpoqën të nisin një konflikt të ri të armatosur, një luftë të re në Kosovë për të aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”. Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar. Ne nuk mund të kthehemi në dialog si zakonisht.”
Ai i bëri thirrje të dërguarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të ndalojë “së konsideruri Serbinë një forcë të natyrës, një lloj ariu irracional që duhet t’i hedhim qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë.”
Misioni paqeruajtës i KFOR-it i NATO-s në rajon është forcuar me qindra trupa dhe pajisje të rënda. Ndërsa Kurti tha se ishin të mirëpritur për të ndihmuar në patrullimin e kufirit serb, ai ka kundërshtuar angazhimin më aktiv të forcave në territor.
“[Ata] nevojiten për siguri dhe mbrojtje”. . . Dhe kështu do të mbetet”, tha ai. “Ne nuk kemi nevojë të bëjmë KFOR-in reagues të parë.”