Vrasja në Dragodan, i akuzuari thotë se nuk e ndjen veten fajtor

I akuzuari Avni Mustafa në seancën e shqyrtimit fillestar pas leximit të aktakuzës ka deklaruar se nuk e ndjen veten fajtor për vrasjen e R.T në Dragodan ndërsa ka pranuar fajësinë për veprën penale “mbajtje në kontroll, pronësi të armës”.

Në këtë seancë edhe i akuzuari Mustafë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për veprat penale “pjesëmarrje në rrahje dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjithashtu i akuzuari Leotrim Mustafa deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor për veprën penale “manipulim me prova”.

Për pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Avni Mustafa për veprën penale “posedim i paautorizuar i armëve” u pajtua prokurori i rastit Ilaz Beqiri e më pas u aprovua edhe nga gjykata, ndërsa vendimi për sanksion të njëjtit do t’i jipet pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.

Sipas aktakuzës së ngritur me 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzuari Avni Mustafa me datë 19 mars 2023 rreth orës 13.20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde e ka privuar nga jeta të ndjerin R.T duke e goditur me revole disa herë në regjionin e gjoksit.

I akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën “pjesë marrje në rrahje”  dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq i akuzuari Leotrim Mustafa akuzohet për veprën penale “manipulim me prova” pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e  tipit “Zastaava” me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.