Supremja ua ndërpret paraburgimin dy edukatoreve të akuzuara për keqtrajtimin e 3-vjeçarit në Fushë-Kosovë

Prishtinë-Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe të dytë ndaj edukatorëve të akuzuara se ushtruan dhunë ndaj 3-vjecarit në kopshtin “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë, duke ua ndërprerë masën e paraburgimit.

Në vendimin e 12 tetorit 2023 të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata e ka cilësuar si të bazuar kërkesën e mbrojtjes së N.M përmes avokatit Muharrem Kurtaj për mbrojtje të ligjshmërisë dhe se ndaj të pandehurave është marrë vendim që të lirohen.

“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të të pandehurës N.M., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurën N.H., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Fushë Kosovë PPR.nr.59A/2023 datë 20.9.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, PNDP.1.nr.1449/2023 datë 27.9.2023, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë në liri”, thuhet në vendimin e marrë nga kryetarja e kolegjit të gjykatës supreme, gjyqtarja Mejreme Memaj.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen në paraburgim të të pandehurave dhe se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë vetëm kanë parafrazuar dispozitat ligjore për masën e paraburgimit.

“Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe kërkesës së mbrojtësit të të pandehurës për mbrojtje të ligjshmërisë, vlerësoi se aktvendimet e kundërshtuara duhen ndryshuar dhe e pandehura duhet liruar nga masa e paraburgimit, për arsye se atvendimet e kundërshtuara me kërkesë janë të paqëndrueshme, për çka me të drejt tërheq vërejtjen mbrojtësi në kërkesën e tij. 3 Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, nuk ka bazë ligjore për mbajtjen në paraburgim të të pandehurave, për arsye se si gjykata e shkallës së parë po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë vetëm kanë parafrazuar dispozitata ligjore për masën e paraburgimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Tutje thuhet se prokurori ka arritur të provojë dëshminë e bazuar se është kryer vepër penal por nuk ka arritur ta arsyetoj caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas këtij vendimi, prokurori vetëm i ka parafrazuar dispozitat ligjore të cilat edhe janë aprovuar nga të dy shkallët e gjykatave.

“Në rastin konkret nga shkresat e lëndës rezulton se prokurori ka arritur ta provoj dyshimin e bazuar se është kryer vepra penale, por nuk ka arritur të bëjë përshkrimin e provave që mbështesin dyshimin e bazuar se ka rrezik të ikjes dhe përsëritjes së veprës për të cilat ka kërkuar caktimin e paraburgimit. Në fakt prokurori vetëm i ka parafrazuar dispozitat ligjore, dhe këtë parafrazim e ka aprovuar edhe gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë, ngase nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë rrethanë konkrete e argumentuar se me gjetjen e të pandehurave në liri, ato do të mund të arratisen, kur kihet parasysh mosha e tyre, fakti se janë familjare, ju dihet vendbanimi ,identiteti”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Tutje thuhet se nuk argumentohet as fakti se me gjetjen e të pandehurave në liri do të mund të përsërisin veprën penale, aq më pak kur ato janë suspenduar nga vendi i punës dhe nuk kanë histori kriminale.

Sipas vendimit, në rastin konkret nuk ka rrethana që e bëjnë të arsyeshëm caktimin e paraburgimit.

“Në rastin konkret nga shkresat e lëndës nuk rezulton asnjë rrethanë konkrete që e bën të arsyeshëm caktimin e paraburgimit për shkak të rrezikut të ikjes dhe përsëritjes së veprës 4 penale, prandaj kjo Gjykatë i ndryshoj aktvendimet dhe të pandehurat i lirojë nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Në vendim theksohet se e pandehura tjetër, N.H nuk kishte ushtruar kërkesë, mirëpo gjykata vlerësoi se arsyet për të cilat ka marr vendim në dobi të pandehurës N.M., që nuk janë të natyrës personale shkojnë në dobi edhe të të pandehurës tjetër, e cila nuk ka parashtruar kërkesë.

Vlen të theksohet se lidhur me kërkesën e mbrojtjes Muharrem Kurtaj kishte dhënë përgjigje Prokurori i Shtetit i cili kishte propozuar që e njëjta të refuzohet si e pabazuar.

N.M. dhe N.H dyshohen për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 3, pika 3.1 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të KPRK-së.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë me 9 tetor të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj dy të pandehurave, të cilat ngarkohen për keqtrajtimin e fëmijës në çerdhen “Gëzimi ynë”, në Fushë-Kosovë. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply

Your email address will not be published.