Minatorët e Trepçës janë duke e vazhduar ditën e shtatë të grevës së urisë. E gjatë këtyre ditëve, dhjetëra grevistë kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor.
16 prej tyre, vetëm të hënën, konfirmoi kryetari i Sindikatës së Punëtoreve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi.
“Gjendja është e rënduar, deri më tash kemi 16 minatorë prej mëngjesi që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri është dërguar në spitalin rajonal të Mitrovicë për trajtim të mëtutjeshëm. Ende mbetet në spital”, u shpreh Januzi.
Ai tha se sot ka ndodhur suspendimi i tij nga ana e menaxhmentit.
“Menaxhmenti ka suspenduar kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e sindikatës. Na e kanë ofruar një vendim. Kjo është e drejtë ligjore e jona, greva”.
Januzi pati një thirrje për kryeministrin Albin Kurti.
“I kemi bërë thirrje Kurtit, por nuk na ka vizituar. Kjo është kërkesa edhe minatorëve, që t`ia japim një kahje kësaj situate. Te merret me ne Kurti sepse gjendja shëndetësore vec sa po shkon duke u përkeqësuar”, deklaroi Januzi.
Sipas Januzit, minatorët kanë tri kërkesa.
“Realizimi pagës mujore me kohë nga data: 06 – 10 [në fillim të çdo muaji]. Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës”.
Ndërkohë, më 23 tetor 2023, Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti ndau 1.6 milion euro për Trepçën.