Qeveria ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë euro 314 milionë euro. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri, Albin Kurti tha se me këtë projekt-buxhet rëndësi të veçantë i kanë kushtuar mbrojtjes së sigurisë. Ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme do të tejkalojë 216 milionë euro, ndërkaq Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë buxhet prej mbi 153 milionë euro.
Projektbuxheti i miratuar nga kabineti qeveritar do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky buxhet do të fokusohet në rritje të sektorëve prioritar dhe në zbatim të programit qeverisës.
“Për vitin 2024, buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Për sektorin publik kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë. Po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë. Të gjitha përllogaritjet e buxhetit te kategoria e pagave janë duke marrë për bazë edhe rritjen e koeficientit. Dhe gjithsej buxheti për paga parashihet që të jetë 805 milionë euro, apo rreth 30 për qind më lartë se sa buxheti para pesë vitesh. Me këtë buxhet kujdes dhe rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes së sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro apo rreth 370 milionë euro për sektorin, 22 për qind më shumë se sa vitin 2023”, tha ai.
Kurti tha se me këtë buxhet është paraparë edhe mbështetja e fushës së arsimit, për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave dhe mbështetjen e të rinjve me bursa.
Kurti: Mbështetja buxhetore për arsimin do të arrijë në 370 milionë euro
Shefi i ekzekutivit u zotua se do të vazhdojnë mbështetjen për investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në rrjete të ujësjellësit dhe kapacitete të reja energjetike. Kurti tha se për këtë kanë paraparë buxhet prej 860 milionë euro.
Kurti: Kemi ndarë 742 milionë euro për komunat
“Për vitin 2024 kemi ndarë 742 milionë euro për komunat e Kosovës, ku nga kjo shumë 635 milionë euro janë grant që i jepet komunave nga qeveria, kurse 107 milionë euro të tjera janë të hyra vetanake të cilat komunat i mbledhin. Ky buxhet është i të gjithëve e për të gjithë sepse janë taksat e tatimet të të gjithëve, të cilët e mbushin buxhetin e përbashkët të shtetit tonë, për shoqërinë tonë”, theksoi ai.
Kryeministri Albin Kurti tha se nga marrja e mandatit deri më tani janë ballafaquar me sfida globale.
Kurti: Tejkaluam tri kriza globale
“Inflacion dyshifror në nivel global, herën e fundit ishte parë në vitet e 80-ta, diçka që ndodh një herë në 40 vjet. Shpesh herë mjafton një krizë e këtyre përmasave, që ta gjunjëzojë një qeveri apo një shtet. Për fatin tonë si qeveri, tri kriza globale me gjasa të vogla të ndodhin, ngjanë brenda një mandati dhe megjithatë ja dolëm shumë më mirë se sa të tjerët na prognozonin. Menaxhuam pandeminë, tejkaluam krizën energjetike dhe mbështetëm qytetarët për t’u përballur me inflacionin. Dhe jo që menaxhuam këto kriza me sukses, por arritëm që përgjatë këtyre viteve të vështira edhe të rrisim ekonominë edhe vendet e punës si asnjëherë më parë”, tha ai para kabinetit qeveritar.
Kryeministri Kurti tha se gjatë mandatit të tij qeverisës, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune. Ai tha po ashtu se gjatë mandatit të tij, ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune. Tutje, theksoi se për herë të parë Bruto Prodhimi Vendor do të tejkalojë shifrën prej 10 miliardë euro.